Ish-ministri i Informacionit në Qeverinë e Kosovës në ekzil në vitet nëntëdhjeta, Xhafer Shatri, përmes një postimi në facebook, ka shkruar se Hashim Thaci është i përfshirë ne eliminimin e rivalëve të tij.
“Në orën më të ligë të historisë së shqiptarëve, ai i ka përçarë shqiptarët deri në prag të luftës vëllavrasëse duke urdhëruar dhe duke marrë pjesë personalisht në eliminimin fizik të rivalëve të mundëshëm e të pamundshëm”, ka shkruar Shatri, përcjellë “Bota sot”.
Më tej, Shatri ka shkruar se Thaçi me veprimet e tij, i ushqeu planet e fshehta serbe.
“Duke u bërë pjesë e organizimit të ngjarjeve të turpshme të vitit 2004, ushqei planet e fshehta të Serbisë për copëtimin e Kosovës. Më vonë, shkoi edhe më larg; për të shpëtuar lëkurën e tij, i vuri publikisht në tavolinë e para Serbisë kufijtë e Kosovës dhe sovranitetin e saj”, shkruan Shatri në faqen e tij në facebook.
Poashtu, Shatri e ka akuzuar Thaçin edhe për vrasjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit.
Ky është shkrimi i plotë i postuar në facebook nga Xhafer Shatri:
Lufta e pistë për kolltukun bosh
Kumtesa e prokurorit special, e datës 24 qërshor 2020, për aktakuzën kundër Hashim Thaçit e C°, i ka zënë gafil vetëm ata që kanë mendje dhe kujtesë të cekët. Ajo ishte një bombë me sahat që i rrinte Kosovës mbi kokë që 10 vjet. Natë e ditë. Dhe jo vetëm kaq, por, ditë emë tepër, u bë pengesë serioze për zhvillimin normal të vendit. Dhe krijoi probleme serioze brenda nesh dhe me të tjerët, konkretisht me ata që na kanë ndihmuar të çlirohemi.
Fillimisht, Serbia dhe Rusia, kishin një marrëveshje që të bëjnë të pamundurën për të mbledhur informata për çdo krim të kryer në Kosovë nga shqiptarët në përgjithësi dhe nga pjesëtarët e UÇK-së në veçanti.
Pas një pune të gjatë e sistematike ata ia arritën që përmes Këshillit të Evropës, konkretisht Raportit të Dick Martit ta vënë Kosovën në bangë të zezë dhe statutin e saj në tavolinë. Ky ishte edhe qëllimi themelor i tyre e kurrsesi ndonjë ndiesi për viktimat. Cilat do qofshin ato.
Prej fillimit e deri më sot, autoritetet e Kosovës dhe sidomos kreu i tyre, Hashim Thaçi, janë sjellur ndaj këtij Raporti dhe ndaj Gjykatës speciale, që doli prej tij e prej Kuvendit të Kosovës, me një
papërgjegjësi të paimagjinueshme.
Pasojat po shihen dhe po dihen.
Tash, edhe pse dihet mirë rrjedha e procedurës, Kosova, për hesape të Hashim Thaçit, vazhdon të jetojë në ankth dhe në një mjegull dilemash: a do ta vërtetojë Gjykata aktakuzën a jo? Kjo dilemë qesharake është simptomë e një budallakie kolektive, sepse për çdo njeri normal, qoftë ai edhe çoban dhishë, përfundimi i një procedure të tillë dihet. E ai përfundim quhet proces gjyqësor.
Prandaj ngjitja jetike e Hashimn Thaçit për kolltukun e të parit të Kosovës, flet shumë për karakterin e tij, për karrierizmin e tij patologjik por dhe për gjendjen e rëndë dhe mendësinë cubnishte që ka imponuar ai me klanin e tij gjithandej në Kosovë.
Tani këneta politike e Kosovës është tallazitë sërish me shpërfaqjen e luftës për kolltukun që, definitivisht, pas pesë muajsh do të mbetet bosh. Pretendentë ka shumë. Por për dy po përflitet hapur: Ramush Haradinaj dhe Vlora Çitaku. Mirëpo më së shumti në këtë drejtim po punon Isa Mustafa, njëri prej kryeshtetrrënuesve të Kosovës. Dhe sipas të gjitha gjasave në kolltukun që po mbetet bosh do të ulet personi për të cilin do të vendosë Hashim Thaçi e Isa Mustafa, plus Pesëshja dhe Serbia natyrisht.
Populli i Kosovës edhe kësaj radhe do të jetë spektator. Ky është roli që, zakonisht, historia ua cakton popujve të vegjël e të stërvonuar. Sidomos popujve me elita të sajuara…
Për shkaqe që po dihen, konfirmimi publik i aktakuzës kundër Thaçit po vonohet për dy arsye kryesore: zgjedhjet në Amerikë dhe emërimi paraprak i personit që do ta vendosin në kolltukun e presidentit.
Sido që të jetë epoka e Hashim Thaçit ka përfunduar, ashtu edhe siç ka filluar: me kurthe e prapaskena shekspiriane. I mbetet historisë ta caktojë vendin e tij në faqet e saj. Por nëse i bëhet një analizë e shpejtë por serioze sundimit të tij mbi 20 vjeçar, rezultatet janë të trishta:
– Në orën më të ligë të historisë së shqiptarëve, ai i ka përçarë shqiptarët deri në prag të luftës vëllavrasëse duke urdhëruar dhe duke marrë pjesë personalisht në eliminimin fizik të rivalëve të mundëshëm e të pamundshëm;
– Falë tij, Kosova që edhe nën pushtim arrijti të jetë subjekt, pas çlirimit u kthye ne objekt, sepse popujt pa institucione janë popull pa subjektivitet;
– Në skenën politike të Kosovës dhe në qeveri, ka imponuar mendësinë e cubnisë, duke rrënuar publikisht ekonominë e vendit, sistemet e arsimit, të drejtësisë dhe të shëndetësisë;
– Duke u bërë pjesë e organizimit të ngjarjeve të turpshme të vitit 2004, ushqei planet e fshehta të Serbisë për copëtimin e Kosovës. Më vonë, shkoi edhe më larg; për të shpëtuar lëkurën e tij, i vuri publikisht në tavolinë e para Serbisë kufijtë e Kosovës dhe sovranitetin e saj;
– Duke keqpërdor organet e shtetit ai e vrau mizorisht Astrit Deharin, vetëm për ta nxitur Vetëvendosjen të çohet në kryengritje dhe ta fusë vendin në kaos. Ky krim i rëndë, ashtu si dhe inskenimi i procesit gjyqësor në dosjen e trilluar “Syri i popullit“ ishin në funksion të shpërbërjes së Gjykatës speciale…;
– Në kohë pandemie, bashkë me pulenin e tij e të Vuçiqit, Isa Mustafën, organizoi një grushtshteti të neveritshëm, duke përshkelur, para krejt botës, vullnetin e popullit të Kosovës, të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019… E ai vullnet ishte i qartë; largimin e cubave dhe oligarkëve shtetrrënues nga skena politike;
– Një nga dëmet më të mëdha që ia ka shkaktuar Hashim Thaçi Kosovës, padyshim është përpjekja e tij e suksesshme e diabolike për lënien në harresë dhe fshehjen e qëllimshme të krimeve të panumërta të Serbisë në Kosovë;
Për shkaqet që përmenda dhe shumë të tjera me të cilat nuk desha ta ngarkoj këtë shkrim, Hashim Thaçi po e lë një Kosovë të përçarë e të shkërmoqur prej tij, një Kosovë me rininë e saj rrugëve të botës, një Kosovë me një imazh shumë të keq në botë, me institucione të brishta e me legjitimitet të dyshimtë…
Po të kishte në qenien e tij vetëm një çik vetëdijeje shtetformuese, po të kishte vetëm një grimë dashuri për Kosovën dhe vetëm një pikë ndiesie prej burrështeti, Hashim Thaçi do të jipte dorëheqje kaherë dhe nuk do ta bënte Kosovën peng të fatit të tij të pashmangëshëm.
Siç e kam thënë edhe më parë: Hashim Thaçi ka hyrë në skenën e errët të politikës së Kosovës si cub dhe si cub po del prej saj.
Un vrai gâchis./BotaSot/