Pas më shumë se tre muajsh krize të shëndetit publik, mjekët, infermierët dhe ndihmësit e kujdesit shëndetësor u ngritën sërish në protestë në Francë duke kërkuar nga qeveria mbajtjen e premtimeve.
Protesta të cilat në Paris u intensifikuan dukshëm dhe policia hodhi edhe gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.
Protestat u mbajtën edhe në Metz, Montpellier dhe më gjerë. Punëtorët e shëndetësisë, të cilët kanë qenë në vijën e parë të luftës ndaj Covid-19, kërkojnë një skemë të re punësimi dhe një rritje të pagave prej €300 deri €400.
“Si punëtorë te kujdesit shëndetësor me 10, pothuajse 11 vite eksperiencë , ne fitojmë €1450 në muaj. Është tejet ofenduese. Ne punojmë shumë, peshojmë gjëra të rënda. Ne punojmë nga 8 e mëngjesit deri në 8 pasdite, nuk shohim më familjet tona. Kur shkojmë në shtëpi natën, fëmijët tanë po flenë. Në spital, ka gjithnjë e më pak konsideratë. Spitali funksionon si një makinë, mund të thuhet se jemi punëtorë fabrike,” – shprehet Aminata Diallo punonjëse e shëndetit publik.
Protesta e së martës shënon kulmin e një serie demonstratash javët e fundit dhe përkojnë me reformën e nisur nga kryeministri Eduard Philipe në lidhje me sistemin shëndetësor francez.
Gjatë fundjavës, qeveria nxori dekrete që miratonin shpërblimet e jashtëzakonshme që kishin premtuar prej €1000 deri €1500 për punonjësit e shtëpisë së pleqve dhe një rritje prej 50 për qind të pagës për orët e zgjatura në spital, të parashikuara për t’u paguar para shtatorit.