Sipas një lajmi të portalit MEE me bazë në Londër, zyrtari saudit Saad al-Jabri u vendos në Kanada nga frika e masave të mundshme të princit të kurorës ndaj tij
Një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës saudite iku nga vendi i tij në vitin 2017 dhe u vendos në Kanada si rezultat i presioneve nga princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i njohur shkurtimisht si MBS, ka shkruar Middle East Eye (MEE), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një lajmi të portalit MEE me bazë në Londër, zyrtari saudit Saad al-Jabri u vendos në Kanada nga frika e masave të mundshme të princit të kurorës ndaj tij.
Jabri për një kohë ka qenë këshilltar i ish-princit të kurorës dhe ministrit të Brendshëm Mohammed bin Nayef, i cili u arrestua javën e kaluar si pjesë e një vale të fundit të raportuar të arrestimeve brenda dinastisë saudite.
Sipas një artikulli të shkruar nga David Ignatius nga Washington Post në kohën e vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi, Jabri në vitin 2015 është takuar me drejtorin e atëhershëm të CIA-s John Brennan në Washington pa dijeninë e Mohammed bin Salman. Megjithatë, pas këtij takimi dhe kthimit në vendin e tij, Jabri ishte pushuar nga detyra me urdhër mbretëror.
Siç thuhet, Jabri është larguar nga mbretëria pak para se Mohammed bin Salman të emërohej si princ i kurorës pas marrjes së këtij titulli në mënyrë të dyshimtë nga Mohammed bin Nayef.
Disa burime kanë thënë për MEE se tre vjet më parë, ishte besnikëria e tij ndaj Bin Nayef, njohuritë e tij për dekada të tëra mbi punën e brendshme të Ministrisë së Brendshme të mbretërisë dhe pasuria e tij personale e konsiderueshme që e bëri Jabrin një shënjestër të princit të ri të kurorës dhe bëri që ai të arratiset.
Një burim tjetër ka thënë se Jabri madje edhe në Kanada merr mesazhe kërcënuese nga Mohammed bin Salman dhe shqetësohet se një ditë do të dërgohet me forcë në Arabinë Saudite.
– Dy emra brenda inteligjencës në Ministrinë e Brendshme
Sipas raportimit të MEE-së, në kohën kur Mohammed bin Nayef ishte ministër i Brendshëm, Jabri dhe Abdulaziz Huwairini kanë qenë dy emra me pozitë të lartë në njësinë e inteligjencës.
Megjithatë, siç theksohet më tej, Jabri në atë kohë qëndroi i afërt me Mohammed bin Nayef, i cili ishte njëkohësisht princ i kurorës, kurse Huwairini favorizoi princin Mohammed bin Salman i cili po ngritej me shpejtësi.
Kur në vitin 2017 Mohammed bin Nayef u largua nga detyra si princ i kurorës dhe u vendos në arrest shtëpiak, Huwairini në të njëjtën mënyrë u shkarkua dhe iu caktua masa e arrestit shtëpiak.
Megjithatë, Huwairini, i cili kishte favorizuar Mohammed bin Salmanin, ende pa kaluar një muaj ai u emërua si shef i Drejtorisë së Sigurisë Shtetërore e cila ishte formuar rishtazi në kuadër të Ministrisë së Brendshme të ristrukturuar.
– Arratisja e Jabrit
Sipas lajmit në MEE, pas largimit nga Arabia Saudite, Jabri fillimisht kishte shkuar në Gjermani, prej ku kishte kaluar në SHBA, ku kishte qëndruar.
Megjithatë, siç thuhet, ai u largua nga SHBA së bashku me familjen në nëntor të vitit 2017, pasi “nuk ndihej i sigurt në territorin amerikan të administruar nga Donald Trump”, përkundër se më parë kishte zhvilluar lidhje të afërta me inteligjencën amerikane kur kishte qenë këshilltar i Bin Nayef në fushën e inteligjencës.
Po ashtu, MEE ka rikujtuar raportimet se pas vrasjes së organizuar të gazetarit saudit Khashoggi në Konsullatën Saudite në Stamboll, organet amerikane të sigurisë kishin penguar tentativat për rrëmbim ose atentat ndaj disidentëve të tjerë.
Ekspertët thonë se strehimi i Jabrit në Kanada mund të ketë qenë faktor në krizën diplomatike që shpërtheu midis Kanadasë dhe Arabisë Saudite në gusht të vitit 2018.