Dy fëmijë kosovarë, vëlla e motër, kanë humbur jetën pasi kanë rënë në një lumë në komunën Montbrison, Loire të Francës.
Fëmijët, të lindur më 2014 dhe 2017, kanë qenë duke luajtur bashkë me nënën e tyre përreth lumit Le Moingt (niveli i të cilit është rritur kohëve të fundit si pasojë e reshjeve të mëdha), kur vëllai, që ishte më i ri në moshë, ka rënë në ujë, ndërsa motra e tij më e madhe ka kërcyer për ta nxjerrë atë nga uji, por pa sukses.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, u ka shprehur ngushëllime familjes për humbjen e dy fëmijëve.
“Tragjike, lajmi për dy fëmijët nga Kosova që humbën jetën aksidentalisht duke rënë në lum në qytetin Montbrison, Loire të Francës.
U shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve!”, ka shkruar ai.
Edhe ministri në detyrë i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka shprehur dhimbjen për këtë rast.
“Me dhimbje të thellë kam marrë lajmin për vdekjen e dy fëmijëve kosovar në Francë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit e fëmijëve, familjen dhe miqtë e tyre. Mendimet tona janë me ata në këto momente të vështira dhe misioni ynë diplomatik në Paris do të sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme për ata në këto momente të dhimbshme”, ka shkruar ai./Indeksonline/
Discussion about this post