Skender Hyseni, anëtar i kryesisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës në DESK të KTV-së ka thënë se sivjet, mbase edhe vitin vijues, nuk do të ketë “autostrada fare”.
“Sepse paralajmërimet për vështirësitë e rimëkëmbjes pas COVID-19 janë bukur të errëta. Pjesa më e madhe e buxhetit të Kosovës mbase do të duhet të orientohet në shëndetësi”, ka thënë ai.
Hyseni i është referuar kësisoji kushtit të Haradinaj për autostradat, të paraqitur në një letër zyrtare të kreut të AAK-së, dërguar kryetarit Mustafa.
“Haradinaj po se po, por nuk ka njëri që nuk do të mirëkuptonte rreth gjendjes së krijuar me pandeminë”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka folur rreth vendimeve të shfuqizuara nga Qeveria në detyrë.
“Nuk jam në dijeni të vendimeve që janë marrë, të cilësisë së tyre, por nuk do ta përkrahja idenë që apriori çdo vendim që merret prej një Qeverie të kaluar, të anulohet”, ka thënë ai.
Hyseni ka thënë se Kosova e ka menaxhuar mirë pandeminë, por “bazuar në indikatorët”.
“Kam frikë që numri i të infektuarve në Kosovë është shumëfish i madh, sesa që jepet. Janë bërë shumë pak teste”, ka thënë ai.
Hyseni konsideron se Qeveria ka mundur të “sigurojë ndihma shumë më të mëdha prej jashtë”. Mosarritjen e kësaj gjëje e ka lidhur me “acarimin e raporteve me SHBA-në”.