Jeta luksoze e Mbretit, korrupsioni dhe represioni ndikuan që në fund të viteve ‘70 iranianët të humbin durimin dhe të çohen në protesta kundër Mohamed Reza Pahlavit. Më 1 shkurt 1979 një avion “Boenig 747” i “Air France”, në të cilin ishte e ndaluar të shërbehej alkooli, aterroi në Teheran.
Shkruan: Enver Robelli
Avioni erdhi nga Parisi dhe në bord kishte prijësin e opozitës iraniane në ekzil, Ajatollahun Ruhollah Homeinin. Në fillim ishte entuziazmi. Në vjeshtën e vitit 1978 filozofi francez Michel Foucault qëndroi dy herë në Teheran si i ngarkuar i gazetës italiane “Corriere della Sera”. Foucault atëbotë shkroi: “Kjo është kryengritja ndoshta më e parë e madhe kundër sistemeve globale, kjo është revolta më moderne dhe më e çakërdisur e revoltës”.
Më 1 shkurt një avion “Boenig 747” i “Air France”, në të cilin ishte e ndaluar të shërbehej alkooli, aterroi në Teheran. Avioni erdhi nga Parisi dhe në bord kishte prijësin e opozitës iraniane në ekzil Ajatollahun Ruhollah Homeini. Bashkë me të ishin nja 50 bashkëpunëtorë të tij dhe 150 gazetarë. Para se të aterronte avioni në Teheran, revolucionarët iranianë ia dhanë një gazetari gjerman një zarf dhe e porositën ta ruajë mirë. Revolucionarët frikësoheshin se pas aterrimit mund të arrestoheshin nga forcat që ishin besnike ndaj Shahut Mohamed Reza Pahlavit, i cili kishte braktisur vendin. Nuk ndodhi asgjë. Miliona njerëz e pritën Homeinin në Teheran.
Gazetari gjerman disa muaj më vonë kuptoi se në zarf kishte qenë e palosur Kushtetuta e Republikës Islamike të Iranit. Prania e gazetarëve perëndimorë në avion ishte në favor të revolucionarëve: edhe nëse ndokujt në Teheran do t’i shkonte në mendje të rrëzonte avionin, me këtë akt do të ashpërsonte raportet me Perëndimin, sepse bashkë me revolucionarët do të pësonin edhe gazetarët e huaj. Për shkak të numrit të madh të njerëzve Homeini nuk mundi të kalonte rrugëve dhe me një helikopter shkoi te varrezat e Teheranit për t’i nderuar martirët e revolucionit.
Në skenat e rrugëve krahas burrave të zemëruar shiheshin edhe shumë gra të mbuluara me pelerina të zeza – një shenjë e qartë kjo se në Iran po fillonte një epokë e re kulturore: fshehja sa më shumë e mundshme e grave nga jeta publike dhe distancimi nga Perëndimi. Nën regjimin e Shah Mohamed Reza Pahlavit gratë gëzonin një liri relativisht të madhe. Por Pahlavi dhe klika e tij e kishin plaçkitur aq shumë vendin, saqë fillimisht jo vetëm gratë, por edhe socialistët dhe liberalët e përkrahën revolucionin. Bartësit e revolucionit me të drejtë kritikonin regjimin e Shahut se pasuritë e vendit si naftën ua kishte lënë në dorë firmave perëndimore.
Njëjtë si Turqia nën Mustafa Kemal Ataturkun edhe Irani nën Reza Pahlavin, babanë e Shahut Mohamed Reza Pahlavit, në vitet ‘30 filloi të modernizohet dhe të orientohet nga Perëndimi. U ndalua çadori, një veshje e zezë në formë thesi, të cilën e bartnin gratë. Burrat nisën të bartnin kapelë dhe këmishë, fëmijët u obliguan të ndjekin shkollimin fillor. Kur në fillim të viteve ‘50 Qeveria e Iranit nën presionin e popullit vendosi t’i nacionalizojë impiantet e naftës të kompanisë “Anglo-Persian Oil Company”, shërbimi sekret amerikan CIA dhe ai britanik MI6 më 1953 e rrëzuan nga pushteti kryeministrin Mohamed Mosadeg. Qëllimi ishte që “Anglo-Persian Oil Company” të përfitonte edhe më tutje nga nafta iraniane. Rrëzimi i Mosadegut është ndër gabimet më të mëdha që kanë bërë Washingtoni dhe Londra pas Luftës së Dytë Botërore. SHBA-ja, Britania e Madhe, por edhe Gjermania e shtete të tjera përkrahën regjimin e Mohamed Reza Pahlavit, i cili me kundërshtarët politikë i qëronte hesapet në mënyrë brutale. Kjo e bëri Shahun të përbuzur jo vetëm në Iran, por edhe në qarqet e majta e progresive në Evropën Perëndimore. Fanatikët iranianë madje e akuzonin Shahun për «Westoxification», për helmim të kulturës së lashtë persiane.
Siç shkruan historiani gjerman Frank Bösch në librin e tij mahnitës për vitin 1979, Gjermania nga vitet ‘60 thelloi dukshëm marrëdhëniet me Iranin. Eksporti i armëve gjermane në Iran u rrit, mijëra studentë iranianë shkuan në Gjermani për të studiuar, më 1977 në Gilan, qytet iranian në Detin Kaspik, nisi punën Universiteti gjermano-iranian. Studentët iranianë në Gjermani qenë prijës në organizimin e protestave kundër regjimit represiv të Mohamed Reza Pahlavit. Më 1967, me rastin e vizitës së Shahut në Berlinin Perëndimor, mijëra studentë dolën në rrugë për të protestuar. Një polic gjerman, për të cilin më vonë u mësua se kishte qenë spiun i shërbimit sekret të Gjermanisë komuniste, vrau studentin Benno Ohnesorg, i cili u bë simbol i demonstratave studentore kundër elitave gjermane. Megjithatë, Bonni (atëherë kryeqytet i Gjermanisë Perëndimore) ruajti raportet e mira me Teheranin dhe në vitet ‘70 eksportoi në Iran (për çdo vit) mallra në vlerë prej 6 miliardë markash. Irani nën regjimin e Shahut bleu sidomos armë gjermane, më 1974 një marrëveshje parashihte shkollimin e 100 oficerëve dhe kadetëve iranianë në Universitetin e Bundeswehrit (ushtrisë gjermane) në München. Nga ana tjetër, Irani bleu 25 për qind të aksioneve të firmës tradicionale gjermane Fried. Krupp Hüttenwerke AG. Përballë këtij bashkëpunimi të drejtat e njeriut në Iran nuk luanin aq rol.
Të inspiruar nga Vëllazëria Myslimane e Egjiptit fanatikët fetarë iranianë kundërshtuan me ngulm çdo modernizim të shoqërisë iraniane. Ata po ashtu luftuan me ashpërsi vendimin e Shahut që grave t’u jepej e drejta aktive dhe pasive e zgjedhjes. Më 1963 kjo reformë u miratua me referendum, por fetarët konservatorë nuk e respektuan verdiktin popullor. Por arsyeja kryesore e zemërimit të iranianëve kundër regjimit të Shahut ishte represioni, korrupsioni dhe stili i tij luksoz i jetës. Në fillim të viteve ‘70 Shahu harxhoi 100 milionë dollarë për të festuar me liderë botërorë “2500-vjetorin e Mbretërisë persiane”. Kundër represionit të Shahut protestoi madje edhe presidenti i atëhershëm amerikan Jimmy Carter. Më 1978 protestat kundër regjimit përshkallëzuan në qytetin e shenjtë Kum (Qum) pasi në një artikull të shtypit zyrtar ishte njollosur Ajatollah Homeini, i cili jetonte në ekzil në Francë. Më 16 janar 1979 Shahu, i sëmurë nga kanceri, u largua nga vendi, duke ia lënë pushtetin kryeministrit Shapur Baktiar. Ai u përpoq të zbatonte disa reforma, por pa sukses. Pak kohë pasi Homeini zuri vend në Teheran, Baktiar iku në ekzil në Francë.