Muaji i Ramazanit është muaji i kalendarit fetar mysliman në të cilin theks i veçantë është vendosur në ibadetin, përgjërimin dhe përkushtimin ndaj Krjiuesit të çdo gjëje, Allahut xh.sh.
Shkruan: Metin Izeti
Ajeti kuranor që e urdhëron agjërimin u drejtohet besimtarëve duke i urdhëruar për agjërimin por njëkohësisht edhe duke u treguar se agjërimi është një praktikë e përbashkët e gjenit njerëzor në të gjitha kohrat dhe hapësirat, ndërsa fundi i ajetit e tregon qëllimin se pse duhet të agjërohet në këtë muaj të bekuar. Qëllimi është për t’i shërbyer me gjithë zemër Allahut xh.sh.
Fundet e ajeteve të Kur’anit janë shumë të rëndësishme dhe kujtoj se në to flen çelësi i kuptimit të tërësisë së ajetit. Mospërqëndrimi i vërtetë në fundet e ajeteve kuranore i lë të varura kuptimet e ajeteve dhe qëllimin e zbatimit të tyre në jetën e njeriut, në këtë rast, të besimtarit. Fjalën takva që është përdorur në fund të ajetit të agjërimit dhe që kujtoj se e paraqet qëllimin e agjërimit e kuptoj si shërbim me gjithë zemër, jo vetëm me zemër, por assesi edhe pa zemër, Allahut xh.sh.. Pikërisht për këtë edhe i titullova këta rreshta në këtë mënyrë.
Shumë herë jam përpjekur ta përkufizoj marrëdhënien e njeriut, në realitet ta them më drejtë, marrëdhënien time me Zotin, shumë herë nuk kam gjetur përgjigjen që e ka kënaqur plotësisht zemrën time. Ishte shumë vështirë të dalloja çastet e përjetimit të vërtetë të kësaj marrëdhënieje nga ato rutinore dhe me inercion. E kisha të qartë se diçka nuk është në rregull. Kaluan shumë vite që isha i brengosur nga ky fakt, derisa një ditë u takova me një njeri të mirë, nuk ishte shumë dijetar, nuk kishte fare njohuri për polemikat shterpe fetare, që ne i kishim shumë qejf për ti mposhtur ata që nuk mendojnë si ne. Gjatë bisedës ai tha që afrimi ndaj Zotit bëhet në dy mënyra. E para është përmes obligimeve të detyrueshme juridike (mukel-lefijat) si namazi, agjërimi, zekati, haxhi, ndërsa e dyta është përmes përmasës etike, shpirtërore të po të njëjtave obligime. E para, pati thënë miku, është shërbim Zotit, ndërsa e dyta shërbim me gjithë zemër Zotit. Për një çast e ndjejta një kënaqësi të papërshkrueshme, pasi për herë të parë e dëgjova një qasje të tillë për fenë.
Kjo qasje bënte dallim midis dijes për fenë dhe fetarisë. Vogëlsia ime kishte njohuri të caktuara për fenë dhe mendoja se dija për fenë është fetari dhe pikërisht aty ishte problemi pse nuk e ndjeja marrëdhënien time me Zotin, unë, e doja Zotin që e kisha konceptuar me polemikat teologjike, por nuk e doja me gjithë zemër.
Kishte shumë fusha në jetën time që nuk ia kisha lënë ende Atij. Me tërë këtë dobësi timen iu drejtova Perëndisë për ndihmë dhe sikur më dëgjoi. Dita ditës fillova ta ndjej ibadetin. Ai iu përgjigj lutjeve të mia dhe ma bëri të qartë se duhej ta nxjerr Zotin nga kutia e obligimeve juridike dhe ta vendosi në çdo fushë të jetës sime.
Allahu xh.sh. dëshiron vendin e parë në jetën tonë – jo të fundit. Ne nuk mund ta përjetojmë plotësinë e ibadetit nëse Zoti është vetëm në disa pjesë të jetës sonë. Të vendosësh Allahun xh.sh. në radhë të parë nuk do të thotë se po bëhemi super shpirtërorë dhe e lëmë mënjanë çdo gjë tjetër të kësaj bote. Por kjo është një aksiologji. Allahu xh.sh. për besimtarin është vlera amë dhe mbi të gjitha vlerat tjera sekondare që burojnë nga shërbimi ndaj Tij. Allahu xh.sh. dëshiron që ne ta shijojmë jetën dhe të jetojmë të rehatshëm, vetëm nuk i pëlqen të qeverisemi nga e përbotshmja.
Përderisa përpiqemi ta vendosim Allahun xh.sh. në radhë të parë, na vijnë momente kur Ai na kërkon të bëjmë gjëra që nuk janë shumë të këndshme për egon tonë. Ja, pra kërkon të rimë të uritur prej mëngjesi në mbrëmje. Të ndajmë nga pasuria që e kemi fituar me djersë. Pikërisht kur ne i përkushtohemi Allahut xh.sh. krahas kundërshtimit të lakmive dhe egos tonë, atëherë ne kalojmë mbi lëndoren në ne dhe fillojmë që t’i shërbejmë dhe ta dashurojmë Allahun xh.sh. me gjithë zemër. Në fakt, të kesh dashuri me respekt ndaj Zotit dhe të dëgjosh Fjalën e Tij është detyrë parësore për ta përjetuar të njerëzishmen e plotë brenda njerëzores, brenda nesh.
T’i shërbesh Allahut xh.sh. me gjithë zemër do të thotë gatishmëri për t’ia dorëzuar Zotit çdo gjë, që relativisht e kemi, në mënyrë që të përjetojmë plotësinë e planit të Allahut xh.sh.në jetën tonë. Miqtë e Zotit këtë e kanë emërtuar si braktisje e çdo gjëje në rrugë të dashurisë për Zotin. Ne duhet të besojmë se Ai e di se çfarë është më e mira për ne dhe të mos ndjekim lakmitë tona. Ai kurrë nuk do të na kërkojë të heqim dorë nga diçka, nëse ajo gjë nuk na lëndon dhe nuk na pengon të ecim në plotësinë e dashurisë ndaj Tij.
Të jesh i gatshëm të japësh gjithçka do të thotë ta jetosh jetën me përkushtim të plotë. Kjo na vendos në një pozicion të fortë për t’u përdorur në rrugë të të mirës dhe për t’u rehatuar plotësisht në jetën e kësaj bote. Islam do të thotë përkushtim dhe dorëzim ndaj Zotit! Pra, një mysliman i vërtetë është personi që posedon besim të gjallë dhe në çdo moment e ndien dorëzimin e plotë ndaj Zotit.
Vetëm me gjithë zemër!
Besimtari mund t’i dorëzohet Zotit vetëm me gjithë zemër, sepse çdo qasje tjetër përveç zemrës së plotë nënkupton kompromis, domethënë ka disa papastërti ose dëshira materiale dhe çdo dëshirë tjetër që qëndron në zemrën e besimtari nuk e le zemrën në plotësi të hapur për Zotin.
Harun er-Reshidi, në kohën kur fuqia dhe autoriteti i tij ishin në kulm, kërkoi një gotë ujë nga ministri i tij dhe ministri i mençur e shfrytëzoi këtë, kështu që e pyeti halifin: “Sa do të paguani për një gotë ujë nëse nuk do ta kishim dhënë?” Kalifi u përgjigj: “Unë do të jepja gjysmën e pushtetit tim dhe gjysmën e pasurisë sime”. Pastaj ministri e pyeti përsëri: “Dhe sa do të paguanit nëse uji që pini nuk mund të dilte nga ju (nëse nuk mund të urinonit)?” Harun er-Reshid u përgjigj: “Do të jepja gjysmën tjetër të pasurisë sime.” Kaq vlen pushteti në botë – një gotë ujë, u përgjigj ministri i urtë.
Transmetohet se një sundimtar musliman takoi një njeri të devotshëm dhe e pyeti: “A ke ndonjë nevojë që unë ta plotësoj atë?” I devotshmi iu përgjigj: “Unë kam dy robër që janë zotërinjtë tuaj”. Sundimtari e pyeti: “Dhe kush janë ata?” I devotshmi tha: “Këto janë lakmia dhe shpresa. Jeni të pangopur për pasuri dhe shpresoni që pasuria juaj të shtohet dhe pushteti juaj të zgjasë. Unë i kam bërë skllevër lakminë dhe shpresën, ndërsa ata sundojnë me ty, ndaj çfarë nevoje mund të më plotësosh?!”
T’i shërbesh Allahut me gjithë zemër do të thotë t’i nënshtrohesh vullnetit të Allahut të Madhëruar, të pranosh pa kundërshtim dhe të dorëzohesh. Njeriu është një qenie e kufizuar dhe ndihet i pafuqishëm përballë disa vështirësive. Ai bie në dëshpërim dhe e bën jetën një burg për vete. Njeriu kërkon strehim te Zoti i tij në çështjet që e tejkalojnë fuqinë e tij. Në fakt, dorëzimi është t’ia paraqesim punën, gjendjen dhe shqetësimin tonë Zotit tonë të Plotfuqishëm, i cili është sunduesi dhe pronari i gjithë universit. Pranimi i dobësisë personale është nënshtrim ndaj vullnetit të Krijuesit. Zoti ynë i Plotfuqishëm, me dhembshurinë dhe mëshirën e tij të pafund, gjithmonë i ndihmon robët e tij që i nënshtrohen atij dhe u jep lehtësim nga problemet e tyre në mënyra që nuk i pritin kurrë.
Hazreti Mevlana nënshtrimin e plotë ndaj Zotit e sqaron kështu “Uji i detit mban në kokë trupin e pajetë, i cili i është dorëzuar plotësisht. Si mund t’i mbijetojë dorës së detit ai që është gjallë dhe ka më të voglin hezitim? Në të njëjtën mënyrë, nëse vdes duke zhveshur veten nga atributet njerëzore me sekretin e “Vdis para se të vdesësh!”.
T’i shërbesh me gjithë zemër Allahut xh.sh. do të thotë të largosh murin e egos që e ndanë zemrën nga Zoti, ti bindesh plotësisht me zemër Zotit. Do të thotë t’i paraqesësh Atij çdo gjendje tënde dhe të kërkosh ndihmën dhe hirin e Tij. Është t’i drejtohesh vetëm Atij dhe të kërkosh vetëm prej Tij.
Ramazani është një mundësi e artë që ta edukojmë brendinë tonë për t’i shërbyer me gjithë zemër Allahut xh.sh.. Nëse i shërbejmë me gjithë zemër Allahut do të gjejmë freskinë, madje, edhe në zjarr, oazën në shkretëtirë dhe do ta arrijmë dashurinë dhe afërsinë e Tij.
Na e mundëso Ja Rabb…