Në këto çaste të ‘ndjenjës së transit’ diametralisht të kundërt përkitazi me takimin dypalësh (Kosovë – Serbi) në një nga dhomat e Shtëpisë së Bardhë, ku, një pjesë e opinionit, aktin në fjalë e glorifikoi deri në përmasa cinike, ndërsa pjesa tjetër, të njejtin akt e priti me një skepticizëm të skajshëm; në çaste të këtilla, çdo bisedë tjetër duket e pakuptimtë dhe rrezikon të shpallet ‘heretizëm’!
Shkruan: Sali Shasivari
Mirëpo, në këtë realitet shqiptar ‘tallava’, ku çdokush flet e askush nuk dëgjon, mbase nuk do të më zihet për të madhe edhe mua që të them disa fjalë, edhe atë, jo ‘për të lozur analistin’, por më tepër nga ‘zemra e plasur’ ndaj kësaj gjendjeje në të cilën kemi mbërritur si popull!
Së këndejmi, edhe këtë shkrim – sikurse disa shkrime të mia të mëparshme në këtë sferë – po e filloj me maksimën ‘post-actum’, edhe atë, duke u nisur nga fakti se, shumica e vendimeve dhe veprimeve jetike për popullin tonë shqipëtar, si zakonisht, nuk mendohen / gjykohen / kuvendohen / planifikohen / miratohen apo parandalohen para se të ndërmerren, porse, të njejtat ndërmerren në gjendje afekti, e mëpastaj fillojnë bisedat / debatet / akuzat / fajësimet e ndërsjella përkitazi me të njejtat; duke u shndërruar kështu në ‘mollë sherri’, pa efekte kthyese, por, gjithsesi, me pasoja afatgjate. Një praktikë e këtillë e hidhur duket se po i ndjek si hije edhe vellezërit tanë Kosovarë, si dhe Kosovën tonë kreshnike, e cila, për ironi të fatit, siç thotë një miku im historian, ‘çdo herë ka qenë në anën e kundërt të historisë’!
Andaj, për fillim, them se, ato ‘letra’ të cilat u nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë, mund të quhen gjithçka tjetër, përpos “marrëveshje”; edhe atë, për shumë arsye, në mesin e të cilave do të përmendi arsyet që vijojnë:
– Ngase, akti në fjalë, në rastin më të mire, i ngjante një ‘shou-diplomatik’ dhe një ‘pres-konference’, ndërsa, në rastin më të keq, një ‘diktati’ dhe një ‘traktati’ në mes “fituesve” dhe “humbësve”, me ç’rast, kriminelët shpërblehen, ndërsa viktimat ndëshkohen! – Ngase, vetë dokumenti nuk ngërthen në vehte fjalën “marrëveshje”, por togfjalëshin ‘Normalizim Ekonomik’!
– Ngase, vet Presidenti Tramp, në letrën e tij të falenderimit drejtuar Kryeministrit Hoti, ngjarjen në fjalë e emëron si ‘negociata’ (negotiations), duke e përgëzuar atë për progresin e arritur drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, dhe se askund nuk përmend fjalën “marrëveshje” (agreement). E, secili që e njeh ABC-në diplomatike dhe politike, e ka shumë të qartë dallimin ‘astronomik’ në mes këtyre dy nocioneve.
– Ngase, dokumenti i të ashtuquajturës “marrëveshje”, në vend se t’i definojë qartë obligimet konkrete ndaj të dyja palëve, i njejti dokument, pikat e vetme të qarta i pati obligimet dhe detyrat e këtyre dy palëve ndaj disa palëve të treta, dhe se gjithçka tjetër që ka të bëjë me raportet dhe detyrimet bilaterale mbeti tejet e përgjithësuar dhe e mjegulluar; pa definimin e mekanizmave të implementimit, si dhe mjeteve sanksionuese në rast të mos-implementimit të së njejtës.
Për më tepër:
– Çfarë alamet “marrëveshje” na qenka kjo, teksti i së cilës është i ndryshëm dhe i veçantë për secilën palë?!
– Çfarë akti ‘sui generis’ mund të jetë ky, ku, dy palët të cilat supozohet se nënshkruajnë “marrëveshje”, nuk i shkëmbejnë në mes veti dokumentat e nënshkruara gjatë ceremonisë së nënshkrimit?!
Nuk ke si e definon ndryshe atë ‘defilim’ si dhe atë ‘tallava ceremoni’, përpos si ‘akt biznesor’, me ç’rast, çdo akter në të, prioritet të vetmin kishte agjendën personale dhe interesat e ngushta, dhe se, në rend të fundit ishte kthimi i gjërave në binarë të shëndoshë!
Kështu, Presidenti Tramp e paraqiti këtë akt si një nga sukseset e tij, edhe atë, pikërisht në kohë kampanje parazgjedhore; dhëndri i tij, Xhared Kushner, këtë akt e shfrytëzoi si të arritur për projektin e tij kontroverz dhe ‘apriori’ të dështuar, të ashtuquajtur “Marrëveshja e Shekullit” (që ka për qëllim rikonfigurimin gjeopolitik të Lindjes së Mesme); Grenelli, përmes pikës 13 në dokumentin e nënshkruar, shënon një të arritur të pakontestueshme në karrierën e tij politike, si dhe karshi komunitetit LGBT-ist, të cilit i takon; Presidenti Vuçiq e shfrytëzoi atë si një triumf të rradhës në projektin e tij pan-sllavist; ndërsa, përfaqësuesit e delegacionit kosovar, secili prej tyre veç e veç, u mundua që me këtë akt – të ashtuquajtur “marrëveshje” – t’i mbulojnë të gjitha dështimet e veta tashmë dy-dekadëshe në krijimin e shtetit ligjor dhe funksional në Kosovë!
Në suaza të këtyre premisave, ky akt, për akterët që u përmendën pak më lartë, mbase mund të quhet “historik”…
Mirëpo, nëse dëshirojmë që gjërat t’i emërtojmë ashtu siç në të vërtetë janë, atëherë, patjetër duhet të pajtohemi me faktin e hidhur se, ky akt, përpos që nuk ishte “marrëveshje”, i njejti nuk ishte aspak “historik”.
Kjo, ngase:
– Në kohën kur pritej që të bisedohet për statusin final të Kosovës (me të gjitha çështjet që i ngërthen në vehte ajo bisedë), takimi i fundit, jo vetëm që shmangi këtë ‘bisedë të vështirë’, por i njejti vëndoi shumë moratoriume, si dhe prolongoi deri në afat të pacaktuar zgjidhjen e statusin final të Kosovës; bile bile, krijoi shumë komplikime dhe pengesa të reja në rrugëtimin shtetformues të Kosovës!
– Në kohën kur pritej që Serbia të vehet para përgjegjësisë së saj historike karshi gjenocidit, krimeve dhe dëmeve që ia shkaktoi Kosovës dhe popullit të saj për dekada me rradhë; e njejta, përpos që u amnistua nga të gjitha këto përgjegjësi, ajo u shpërblye: me kontrata të majme ekonomike, zhvillimore dhe të resurseve; me realizimin e ëndrrës shekullore për dalje në det; si dhe me ringjallje të sentimentit Jugosllav (lexo: Serbosllav), përmes Mini-Shengenit Ballkanik; kjo, përreth shumë bonuseve tjera eksplicite të cilat iu ofruan!
– Në kohën kur pritej që të bëhet kërkim-falja dhe dëmshpërblimi ndaj qindra grave dhe vajzave të përdhunuara nga fashistët serb…; Kosovës iu kërkua që të zotohet që të punojë në drejtim të dekriminalizimit të homoseksualitetit në nivel global!
– Në kohën kur Kosovës i nevojiten miq dhe partnerë gjithandej, ajo detyrohet që të futet në ‘ujëra’ globale, për të cilat jo vetëm që nuk ka ‘kaçikë’, por, të njejtat ‘ujëra’ janë tejet të turbullta, të dëmshme dhe të rrezikshme për të tashmen dhe të ardhmen e saj!
E, për gjithë këtë katrahurë, fajtori nuk duhet kërkuar as tek ndërmjetësuesit aktual amerikan, as tek pala serbe, e as tek palët tjera, kushdoqofshin ato; ngase, të drejtat kërkohen dhe merren, e assesi nuk falen dhe nuk jepen; porse, fajtori duhet kërkuar tek ‘hijenat’ e ‘gjakut dhe të fisit’, të cilat e zhvatën Kosovën në çdo aspekt për dy dekada të plota, dhe të cilat ende nuk duket se janë ngopur!
Janë pikërisht shtresat e kalbura të politikbërjes kosovare, në mesin e të cilëve edhe shumë “ish-çlirimtarë”, të cilët, jo vetëm që e zhvatën dhe e stërvonuan Kosovën në çdo hap të tij të rrugëtimit normal drejt shtetformimit, por të njejtët, e shndërruan atë në ‘projekt të dështuar’, duke ia ulur çmimin në çdo ‘bursë’ ndërkombëtare, dhe duke e sjell atë në këtë situatë tragjikomike, në të cilën shfrytëzohet si ‘kompars’ për lojëra të mëdha gjeopolitike!
E, kur këtij problemi ia shton edhe ‘traumën identitare’ të vetë popullit kosovar në veçanti, si dhe popullit shqiptar në tërësi (me ç’rast ende vuan nga komplekse të ndryshme, siç është ai fetar), atëherë, këtij ‘lëmshi’ vështirë se i gjehet fija!
Pa mos i zgjidhur ‘betejat’ e brendshme, nuk do të triumfojmë dot në ‘betejat’ tona të jashtme…
Së këndejmi, pavarësisht se cilit kampus i takojmë (qoftë kampusit të optimistëve cinik, apose pesimistëve kritik), dhe se, pavarësisht se si do ta emërtojmë aktin e fundit (“marrëveshje” apo diç tjetër), e vërteta është se, me këtë ‘krye’ që kemi, ne do të jemi dëshmitarë edhe të shumë “marrëveshjeve” tjera të ngjashme në të ardhmen, por të cilat, efekt të vetëm do të kenë mungesën e zgjidhjes nga njëra anë, si dhe vazhdimin e mosmarrëveshjeve të brendshme nga ana tjetër…!
Qofsha gabim në këtë që po e them…!