Diplomati gjerman Wolfgang Ischinger dhe përfaqësuesi i Presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell kanë polemizuar në Twitter rreth ftesës së dy delegacioneve, të Kosovës dhe të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
Ischinger në Twitter ka shprehur habinë pse nuk ka pasur koordinim me BE-në për këtë çështje. Ai madje shpreh habinë e mosreagimit të Parisit, Berlinit dhe Brukselit! – “- Pa u kordinuar me BE? Reagimet nga Parisi, Berlini e Brukseli? Çka nëse EU do ta kishte negociuar DCFTA me Talebanët?”, ka shkruar Ischinger në Twitter.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Richard Grenell. “- Ne i mirëpresim të gjitha veprimet, jo vetëm fjalët. Pse nuk po i shkruan BE-së që të veprojnë për vizat – që u janë premtuar për vite të tëra. Populli i Kosovës dhe i Serbisë meritojnë përparim!”, i është përgjigjur Grenell.
Pas këtij reagimi të Grenell, ka reaguar sërish Ischinger: “- Udhëtimi pa viza për Kosovën është vërtet një çështje e mirë, unë e kam mbrojtur fuqimisht këtë për një kohë të gjatë siç e dinë të gjithë miqtë e mi kosovarë. Sa i përket Serbisë, natyrisht ka pasur udhëtime pa viza për vite me radhë”, ishte përgjigja e Ischinger.