Një pastor nigerian, i cili e kishte përdorur pozitën e tij për t’i abuzuar fëmijët dhe të rriturit për më shumë se 20 vjet, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 34 vjet burgim për dhunime të shumëfishta.
Michael Oluronbi, me prejardhje nga Nigeria por me vendbanim në Birmingham të Britanisë së Madhe, u shpall fajtor për dhunimin e gjashtë grave dhe një burri. Një gjykatës tha se ky është njëri prej rasteve më të rënda të dhunimit seksual të fëmijëve.
Disa prej dhunimeve ky person i kishte kryer pasi i kishte bindur viktimat për të bërë “pastrime shpirtërore” në banjë, duke pretenduar se kjo gjë i pastron personat nga shpirtrat e këqij.
Gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën Mbretërore të Birmingham-it u tha se disa prej viktimave të reja të gjinisë femërore kishin mbetur shtatzëna nga dhunimet, por ishin dërguar në klinika për të abortuar dhe për t’i mbuluar skandalet.
Ai u shpall fajtor për 15 akuza të dhunimit, shtatë akuza të sulmit dhe dy akuza të sulmit seksual. Gjithsej kundër tij u ngritën akuza për 88 raste, shkruan “Daily Mail”.