Nga 16 dhjetori deri më 10 janar Gjermania kalon në një mbyllje të dytë, përjashtim të pjesshëm do të ketë vetëm për tri ditët e festave të Krishtlindjeve.
Nga 16 dhjetori e deri më 10 janar Gjermania do të mbyllet sërish: Jemi të detyruar të veprojmë” tha Kancelarja gjermane Angela Merkel në një konferencë shtypi të dielën, më 13 dhjetor, në Berlin. Mbyllja e lehtë që kemi filluar qysh në 2 nëntor ka arritur një sukses të pjesshëm. “Arritëm ta ndalnim për ca kohë rritjen eksponenciale”, tha kancelarja, “por prej disa ditësh kemi sërish një rritje eksponenciale.”
Çfarë mbyllet, çfarë qëndron e hapur?
Do të mbylljen dyqanet e tregtisë me pakicë, me përjashtim të dyqaneve për nevojat e përditshme. Restorantet mbeten të mbyllura dhe do të kenë të drejtë të shesin vetëm gjellë për t’u konsumuar në shtëpi. Po ashtu nuk do të lejohet konsumimi i alkoolit në vende publike. Gjithashtu mbyllen edhe floktoret, studiot e kozmetikës, tatuazhit, masazheve etj.
Shkollat, kopshtet, dhe institucionet e kujdesit ditor. Përjashtim do të ketë, sikurse në verë, vetëm për fëmijët, prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi të kujdesen vetë për ta, sepse janë në punë ku nevojitet prania fizike. Mësimi shkollor për këtë periudhë, ose do të ndërpritet, ose do të kalohet në distancë. Këtë e vendos secili land më vete.
Kontaktet reduktohen
Kontaktet duhet të reduktohen në maksimum, kërkoi kancelarja. Deri tani lejohen vetëm tubime me pesë vete, me anëtarë nga maksimumi dy familje, mundësisht gjithmonë të njëjtat. Përjashtim do të ketë nga data 24 deri në 26 dhjetor. Përveç familjes mund të ftohen edhe katër të afërm të gradës së parë, plus fëmijë deri në 14 vjeç. Por jo të tjerë. “Nëse ftoni të tjerë mundësisht t’i reduktoni të gjitha kontaktet për një jave”, tha kancelarja.
Kancelarja gjermane u bëri thirrje punëdhënësve që ose t’i lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia, ose t’u japin leje, në mënyrë që të reduktohen sa më shumë kontaktet.
Veç të tjerash kancelarja u kërkoi qytetarëve që mundësisht të mos udhëtojnë gjatë Krishtlindjeve. Meshat dhe shërbesat fetare do të mbeten të hapura. “Jemi duke biseduar me kishat për konceptet higjenike”, tha kancelarja. Për të reduktuar kontaktet do të ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve, dhe po ashtu edhe pirja e pijeve alkoolike në publik.
Që tani po përdoret sistemi triazhë
Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder tha në drejtim të kundërshtarëve të masave të qeverisë se “korona është katastrofë”. Çdo tre ditë vdes një njeri nga korona në Gjermani, tha ai. Në Bavari, ku numri i incidencës shtatëditëshe është mbi 200 në çdo 100 mijë banorë në shtatë ditët e fundit, në disa vende po përdoret që tani sistemi triazhë. Pra, mjekët vendosin se kush do të intubohet e kush jo”, tha Soeder, Bergamo është shumë më afër se sa mendon ndokush, tha politikani kristiansocial.
Söder tha edhe se parashikon që kjo mbyllje nuk do të mbetet me kaq, por do të zgjasë edhe pas datës 16 janar. “Përvoja tregon se vala e dytë dhe e tretë e pandemisë është edhe më e fortë se e para”, tha politikani kristiansocial.
Ndihma për ekonominë
Ministri i Financave, Olaf Scholz, tha se qeveria sërish do t’u vijë në ndihmë bizneseve që do të kenë humbje për shkak të mbylljes. Ai tha se janë parashikuar ndihma ekonomike deri në 500 mijë euro për sipërmarrje. Korona do t’i kushtojë taksapaguesit gjerman 11 miliardë euro në muaj.
“Dhe kjo është në rregull, sepse kemi të bëjmë me gra dhe burra që kanë punuar gjithë jetën e tyre për të ngritur këto biznese dhe me shumë njerëz që janë të punësuar në to”, tha ministri socialdemokrat. Scholz tha më tej, se shifrat e larta tregojnë gjithashtu se sa seriozisht duhen marrë këto masa nga qytetarët. Në buxhetin vjetor të vitit të ardhshëm, i cili u miratua të premten në Bundestag, janë vënë në dispozicion 39,5 miliardë euro shtesë ndihma ekonomike për sipërmarrjet, plus 25 miliardë për masat për luftimin e pandemisë.
Vaksina vjen në janar
E pyetur se kur do të mbërrijë vaksina në Gjermani dhe sa e sigurt është, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se pret që deri më 29 dhjetor Autoriteti Evropian për Licencimin e Barnave Farmaceutike, EMA, do të ketë marrë një vendim. “Pastaj vaksina do të shpërndahet menjëherë në të gjitha vendet e BE-së”, tha kancelarja.
Ajo tha se nuk duam të ushtrojmë presion politik ndaj Autoritetit, në mënyrë që të licencojë një vaksinë të sigurt. Merkel tha se ka besim te ky autoritet dhe se EMA merr në konsideratë edhe ekspertizat e autoriteteve kombëtare të vendeve anëtare, siç është instituti Paul Ehrlich në Gjermani.
Shifrat në rritje
Instituti Robert Koch (RKI) në Berlin lajmëroi se të dielën është rritur numri i infeksioneve të reja: 20.200 raste të reja dhe 321 vdekje të tjera u numëruan brenda 24 orëve. Në total, numri i infektimeve ka shkuar në mbi 1,3 milionë, dhe deri tani korona u ka marrë jetën 21. 787 vetëve.
Sipas RKI-së, e ashtuquajtura incidencë shtatë ditore është rritur deri në 169,1. Incidenca tregon se sa infektime të reja ka pasur në shtatë ditët e fundit në 100 000 banorë. Për RKI-në, situata është e menaxhueshme vetëm nëse numri infektimeve të reja është deri në 50 për 100 mijë banorë. Vetëm në këtë nivel mund të gjurmohet zinxhiri i infektimeve dhe të parandalohet përhapja.
Modestia e kancelares
Kancelarja Angela Merkel mbajti të mërkurën një fjalim emocional në parlamentin gjerman, ku kërkoi sërish mbyllje më të ashpër për të gjithë Gjermaninë. Më parë kërkesat e saj kishin dështuar prej kundërshtimit të kryeministrave të disa landeve federale, të cilat nuk i pranonin kufizimet. Vendimet e marra sot në Berlin u diktuan nga shifrat, dhe përkonin me kërkesat që bëri kancelarja të mërkurën në Bundestag.
Një gazetar donte të dinte, se a mendonte kancelarja që kishte pasur të drejtë? Përgjigja e 66-vjeçares vërtetoi edhe njëherë një nga vetitë e saj karakteristike, shmangien e lavdërimit per veten: “Nuk është sot koha për të parë se ç’ka qenë në të kaluarën”, tha ajo.