Jacques Hogard ish-kolonel i KFOR-it francez në Kosovë, ka thënë se autoritetet e Francës duhet të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ish-koloneli francez i KFOR-it, Jacques Hogard, ka thënë se Franca mund të luaj një rol aktiv në gjetjen e zgjidhjes për Kosovën, por që sipas tij, së parti duhet të respektohet rezoluta e 1244 e Kombeve të Bashkuara, pra që të respektoj sovranitetin e Serbisë dhe të tërheq pavarësinë e Kosovës.
Ish-koloneli Jacques Hogard, ka bërë të ditur se tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, nuk është në agjendën e politikës aktuale franceze, përkatësisht të presidentit Emannuel Macron, transmeton lajmi.net.
Siç shkruan “Kosovo Online”, Hogard, ka thënë se Macron ka bërë gabim edhe në përvjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ku Thaçi ishte ulur afër udhëheqësve më të mëdhenj botëror.
“Unë mendoj se Macron e kuptoi që ai bëri një gabim shumë serioz në vitin 2018 gjatë 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, dhe për këtë arsye përdori tërë hijeshinë e tij kur vizitoi Beogradin”, tha Hogard.
Duke folur për rolin e BE-së në Ballkan, Hogard theksoi se Bashkimi Evropian nuk ka unitet në politikën e jashtme.
“Ju mund ta shihni këtë çdo ditë. Sipas mendimit tim, është iluzore të presësh që Serbia të ndihmohet nga BE. Unë shoh që Rusia është fuqia e vetme kryesore në të cilën mund të mbështetet Serbia. Më vjen keq që nuk është Franca”, theksoi Hogard, transmeton më tutje lajmi.net.
Ish-koloneli Jacques Hogard, po ashtu ka folur edhe për bombardimet e NATO-s.
Ai bombardimet e NATO-s, i quajti agresion duke thënë se këto bombardime kanë shkaktuar dëme të mëdha tek të gjithë në Kosovë.
“Tani, 20 vjet më vonë, mund të pendohem vetëm pse nuk e bëmë më mirë. Agresioni i NATO-s kundër Serbisë ka shkaktuar vetëm padrejtësi, dëme dhe mjerim, rrënoja dhe izolim, jo vetëm për popullin serb, por edhe për romët dhe shqiptarët në Kosovë”, theksoi ai.
Ndryshe, Jacques Hogard, është njëri prej kolonelëve që serbët i janë shumë mirënjohës pasi që siç shkruan ky medium, Hogard ka arritur që ta shpëtojë Manastirin e Deviçit në Llaushë të Skenderajt nga UÇK-ja në vitin 1999.
Po ashtu, Jacques Hogard, sipas këtij mediumi, është njëri ndër personat që nuk lejoi pushtimin e veriut të Mitrovicës.
Theksojmë se në vitin e kaluar, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, banorët e Llaushës së Skenderajt ia kishin ndaluar hyrjen në këtë fshat dhe ai nuk ka mundur që të shkojë e ta vizitojë këtë manastir për shkak të protestave të banorëve./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post