
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se pakicat çdo ditë e më shumë po përballen me diskriminim, ndërsa gjuha e urrejtjes po rritet dhe solidarizimi me migrantët po zvogëlohet, duke theksuar nevojën për luftë kundër racizmit dhe jotolerancës, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në Konferencën e 40-të të Përgjithshme të UNESCO-s që filloi sot në kryeqytetin francez Paris, Guterres tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është i rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve në shumë vende të botës. Sipas tij, këto probleme kanë të bëjnë me ekonominë, shoqërinë, klimën dhe teknologjinë.
Guterres potencoi se besimi në institucionet politike është zvogëluar pasi liderët nuk kanë prodhuar zgjidhje përballë pabarazive në botë.
“Pakicat çdo ditë e më shumë po përballen me diskriminim, ndërsa gjuha e urrejtjes po rritet dhe solidarizimi me migrantët po zvogëlohet. Ne duhet të përqendrohemi në shkaqet dhe të luftojmë kundër racizmit dhe jotolerancës”, u shpreh shefi i OKB-së.
Ai po ashtu theksoi nevojën për një luftë emergjente kundër problemeve të ndryshimeve klimatike dhe shtoi se Konferenca për Ndryshimet Klimatike e OKB-së që do të mbahet në Madrid muajin e ardhshëm do të jetë e rëndësishme për hapat që do të ndërmerren në lidhje me klimën.
Discussion about this post