Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, që të shtunën bëri deklaratë të pamatur ndaj kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin ka kërkuar falje publike.
Përmes një shkrimi Facebook, Hoti kishte shkruar se lideri i LVV-së, Albin Kurti i ka dy zgjidhje, “ose ta lëshojë Kosovën, ose të vritet”.
Por, pasi mediat ia publikuan deklaratën, dhe pati reagim edhe nga partia e tij, Nisma, Hoti ka fshirë postimin kërcënues ndaj Kurtit dhe ka kërkuar falje publike.
Ai ka thënë se ishte gabim teknik.
“Është një gabim teknik i imi, ku media pa me pyet mua e kanë shpërnda këtë shkrim! Kërkoj falje publike”, ka shkruar ai.
Pas deklaratës së Hotit, njëherësh kandidat për deputet nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, ka reaguar edhe Nisma duke u distancuar nga deklaratat e tij.
Ministri Shala ka thënë se Nisma Socialdemokrate distancohet nga çdo deklaratë e tillë e cila nxitë urrejtje.
“Nisma ka anëtarë shumë dhe ne nuk mund të japim prononcim për secilin koment individual që e bëjnë anëtarët e saj. Normalisht që distancohemi nga ato komente. Personi në fjalë nuk është në strukturat drejtuese të partisë. Distancohemi nga çdo qëndrim individual i çdokujt që është në kundërshtim me parimet që i ka Nisma Socialdemokrate. Ju e dini si ka qenë dhe si është qasja e Nismës në raport me subjektet e tjera politike dhe liderët e tyre”, ka thënë ai.
Discussion about this post