Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca gjatë ditës së sotme kanë dhënë dëshmitë e tyre para Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Kjo, për kallëzimin penal që këta të dy kanë ngritur ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Kallëzimi penal ka të bëjë me deklarimin e rremë nën betim, e që zyrtarët e Vetëvendosjes pretendojnë se Thaçi e Veseli e kanë bërë gjatë dëshmisë së tyre në rastin “Syri i Popullit”.
Pas rreth dy orë të dhënies së dëshmisë së tij, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi nga Prokuroria Themelore e Prishtinës që kallëzimi penal ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit të kthehet në aktakuzë.
Kreu i Vetëvendosjes u shpreh optimist se ky proces do të përfundojë me dënime për Thaçin e Veselin.
Kurti: Ky proces duhet të përfundojë me dënimin e Thaçit dhe Veselit
“Më në fund ne fituam këtë thirrje nga Prokuroria e Shtetit dhe më vjen mirë që sot pata rastin që të përgjigjem në të gjitha pyetjet e prokurores, e cila ka marr këtë kallëzim penal, dhe i cili unë kërkoj të shndërrohet në aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit dhe në këtë mënyrë të mundësohet një proces i drejtë për deklarimet e rreme nën betim që i kanë dhënë këta të d. Ky proces unë besoj që duhet të përfundojë me dënimin e këtyre dy të dyshuarve”, tha Kurti.
Kreu i VV-së shpreh habi se si Prokuroria e Shtetit atë kohë nuk ka reaguar fare ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thacit, i cili sipas Kurtit kishte marr rolin e prokurorit duke thënë se do t’i zgjerojë akuzat në drejtim të tij dhe Glauk Konjufcës .
Kurti: Është për tu çuditur se si prokurori atë botë nuk ka reaguar fare
“Me 25 prill, edhe një javë bëhen 8 muaj, Glauk Konjufca dhe unë kemi bërë kallëzim penal ndaj presidentit të vendit Hashim Thaçit dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit. Ne kemi bërë këtë kallëzim penal meqënëse ata kanë deklaruar rrejshëm nën betim, duke na akuzuar neve dyve në lidhje me të ashtuquajturën ‘Syri i Popullit’. Pra edhe 10 ditë bëhen një vit prej se Thaçi dhe Veseli kanë deklaruar që në njërën anë Vetëvendosja është krahu i armatosur i organizatës të ashtuquajturës ‘Syri i Popullit’ dhe në anën tjetër, kanë thënë se jemi ne të dy ata që madje edhe jemi marr me shkrim të komunikatave të UÇK-së në vitin 1999, mandej kanë akuzuar se kemi inspiruar dhe udhëhequr atë organizatë e kështu me radhë. Është për t’u çuditur se si Prokurori atë botë nuk ka reaguar fare ndaj Presidentit të Kosovës i cili, ka marr detyrën e prokurorit duke thëne se do t’i zgjerojë akuzat edhe n ë drejtim të Glauk Konjufces dhe Albin Kurtit, përveç Sadri Ramabajës edhe të tjerëve”, tha Kurti
Lideri i Vetëvendosjes derisa ka shprehur gatishmërinë e tij që t’i përgjigjet Prokurorisë së Shtetit sa herë të thirret për dëshmi tha se si i dëmtuar ka bërë kërkesën për dëmshpërblim.
Dëshminë e tij për këtë kallëzim penal e dha edhe ish shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca i cili tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli kanë synuar që ta eliminojnë Vetëvendosjen nga skena politike përmes deklarimeve të rrejshme.
Konjufca: Qëllimi ishte ta eliminojë Vetëvendosjen nga skena politike
“Qëllimi për ne është i qartë, ata synojnë që duke e konsideruar Lëvizjen Vetëvendosje si kundërshtar politik të bëjnë këso më veshje të veprave të rënda penale përmes deklarimeve të rrejshme ashtu që ta eliminojnë prej skenës politike pra ta diskualifikojnë politikisht Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe mua”, tha Konjufca.
Ai e ka konsideruar lajm të mirë faktin që Prokuroria nuk po pret me vite për t’u marr me rastet që janë në pyetje krerët e shtetit.
Konjufca: Krerët e shtetit e kanë konsideruar vetën si dirigjues të institucioneve të drejtësisë
“Është një lajm i mirë më në fund që Prokuroria po aktivizohet që në Kosovë nuk mund të presim vite të tëra kur janë në pyetje krerët e lartë të shtetit të cilët me deklaratat e tyre kanë treguar se e konceptojnë vetën si dirigjues të institucioneve të drejtësisë”, tha Konjufca.
Në anën tjetër kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ndaj të cilit është ngritur ky kallëzim penal gjatë ditës së sotme ka deklaruar se nga paaftësia për t’i krijuar institucionet po bëhen improvizime të tilla.
Kreu i PDK-së tha se organizata “Syri i Popullit” ka qenë e vërtetë dhe secili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e bëra në të, ndërkohë ka theksuar se ligjërisht do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje.
Edina Jupolli është prokurorja e cila po merret kallëzimin penal e bërë nga Albin Kurti dhe Glauk Konjufca ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli.
Rasti “Syri i Popullit”, ende nuk ka marrë epilog në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe pritet që disa prej të akuzuarve, të japin fjalët përfundimtare në seancat e caktuara për 16 e 17 janar të vitit të ardhshëm
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka arritur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, aty ku do të dëshmojë lidhur me kallëzimin penal e bërë për presidentin Hashim Thaçi dhe për kreun e PDK’së, Kadri Veselin.
Më 25 prill të këtij viti kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe asokohe kryetari i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, kishin bërë kallëzim penal në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, për lajmërim apo kallëzim të rremë.
Kurti dhe Konjufca pretendojnë se Thaçi e Veseli nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018, në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës “Organizata Syri i Popullit”, dhe para gjyqtarëve kanë thënë se dy anëtarët e VV-së janë pjesë e kësaj organizate të quajtur terroriste
Lëvizja Vetëvendosje thotë se pas shtatë muajsh prokuroria ka nisur ta trajtojë këtë rast dhe kanë mbërritur fletëthirrjet që përfaqësuesit e Lëvizjes, Albin Kurti e Glauk Konjufca të paraqiten në prokurori sot e të japin dëshmitë e tyre lidhur me këtë rast dhe me kallëzimin penal që është ngritur.
Atë kohë, pasi që dorëzuan kallëzimin penal Konjufca i cilësoi dëshmitë e Thaçit e Veselit kundër Lëvizjes si “përpjekje për eliminim politik të Vetëvendosjes, meqë padrejtësisht dhe me shpifje, prej presidentit të shtetit dhe kryetarit të Kuvendit jemi lidhur me një organizatë, e cila pretendohet se është terroriste, që është Syri i Popullit”.
Discussion about this post