Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës(SHSKUK), i cili udhëhiqet nga infektologu Valbon Krasniqi, e ka shpërblyer me një kontratë prej rreth 4.15 milionë euro kompaninë “Security Code” për sigurimin fizik të hapësirave të QKUK-së. E ka bërë këtë ndonëse për po të njëjtin tender kishte pasur ofertë më të lirë për mbi 1.1 milionë euro. Online”.
Sipas procesverbalit të hapjes së ofertave, të datës 2 mars 2021, të cilin e posedon “Front Online”, kompania fituese “Security Code” kishte konkurruar me një çmim prej 4.149.360 € për këtë tender tre vjeçar. E një kompani tjetër, “Rojet e Nderit”, me 4.049.775 €.
Ofertë më të lirë se këto dy kompani kishte operatori ekonomik “K.S. Besa”, që kishte paraqitur ofertën prej 3.834.008 €. E më e lirë se krejt këto ishte oferta e kompanisë “Elea Security Force”, 3 milionë e 80 mijë euro. Rreth 1.1 milionë euro më e lirë sesa e kompanisë fituese, “Security Code”.
“Security Code”, sipas të dhënave në Agjencinë Kosovare për Regjistrim të Bizneseve, është në pronësi të Valdrin Tahirit dhe Ukshin Lushtakut. Ky i fundit është familjar i afërt i nënkryetarit të PDK-së, Sami Lushtaku.
“Besa”: Na shpallën njëherë fitues, pastaj na eliminuan
Sipas një përllogaritje të thjeshtë del se kompania e afërt me Sami Lushtakun do të arkëtojë në arkat e saj afër 1.4 milionë euro në vit për ofrimin e këtyre shërbimeve.
Për fitimin e tenderit kishin aplikuar 5 kompani në total.
Tri nga to edhe pse ofruan çmim më të ulët për shërbimet e kërkuara sesa kompania fituese, Security Code, nuk arritën të shpallën fituese.
Ato u eliminuan nga gara, meqë aplikimet e tyre u vlerësuan si të papërgjegjshme.
“Besa Security” e pati këtë fat të keq.
Zyra e saj për medie i tha Front Online se janë munduar që me çdo kusht t`i nxjerrin të papërgjegjshëm.
“Ne nuk i kemi kalkuluar menaxherat e kontratës që duheshin për QKUK. Jena shku me një çmim më të lirë, duke mos i kalkuluar menaxherat e QKUK-së. Nuk kemi nevojë për menaxherë të rinj, pasi që i kemi. Këta tani na e kanë lyp analizën financiare dhe me çdo kusht janë mundur të na qesin të papërgjegjshëm. Na kanë pyet se a mund t`i mbulojmë kostot. I kemi treguar se Po. Na kanë shpall njëherë fitues. Na e kanë dhënë kontratën”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie për Front Online.
Por, gjërat ndryshuan kur tenderi shkoi në rivlerësim pas ankesave të kompanive tjera garuese.
“Kompanitë tjera e kanë bërë ankesën. Kanë thënë për neve se jemi të papërgjegjshëm. Tenderi ka shkuar në OSHP. Është kthyer në rivlerësim. Tri herë na kanë lyp përgjigje. Ju kemi kthy përgjigje që ne e kryjmë këtë punë. Mirëpo nuk kanë dashtë të dëgjojnë”, përfundon përgjigjia e “Besa Security”.
Tahiri: S’ka lidhje Sami Lushtaku me këtë punë
Portali Front Online ka kontaktuar me vetë kompaninë fituese, “Security Code”.
Drejtori ekzekutiv i saj, Esat Tahiri, babë i Valdrinit, ka mohuar të ketë ndikuar në verdiktin final Sami Lushtaku, vëllai i njërit prej dy aksionarëve të ndërmarrjes, Ukshinit.
“S`ka lidhje Sami Lushtaku me këtë punë. Po, Ukshin Lushtaku është aksionar, po s`ka pasë ndikim në këtë tender”, tha Tahiri.
Esati dikur kishte shërbyer si truproje e ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.
Për tenderin në fjalë, heshtjen, e ka zgjedhur si përgjigigje nga SHSKUK-ja.
Të paktën deri në publikimin e këtij artikulli, ani pse i kanë marrë nëpërmjet e-mailit pyetjet nga Front Online.