Robert Lewandowski është një nga sulmuesit më të mirë në planet. Polaku shënon prej vitesh shumë gola dhe kjo nuk vjen rastësisht. Talenti dhe aftësia për të dërguar topin në rrjetë nuk i mungojnë, por rëndësi të madhe ka edhe freskia mentale.
Bomberi i Bayern Munchen shpjegon sekretin e tij në një prononcim për France Football, aty ku ndalet edhe te fitimi i “Topit të Artë”. Sivjet ka shënuar 45 gola në të gjithë kompeticionet me skuadrën bavareze dhe ka akoma mundësi për të përmirësuar shifrat.
“Të shënosh një gol nuk është kurrë e lehtë, sidomos kur ndihesh i lodhur. Në 90% të rasteve, golat shënohen falë aspektit mental dhe përqendrimit që arrin të mbash në ndeshje. Kur je i lodhur, fillon automatikisht të logjikosh më ngadalë.
Por, hapësira dhe koha nuk ndryshojnë. Në zonën e rreptësisë ke 0.1 sekonda kohë për të marrë një vendim se çfarë do të bësh dhe si do ta godasësh topin. Në stërvitje punojmë në këtë mënyrë: përpiqemi të marrim vendime pa pauza.
Nuk ka rëndësi nëse godet me të majtën apo të djathtën, rëndësi ka të jesh gjithmonë gati. Nuk ke kohë për të menduar, duhet të veprosh dhe kaq. Topi i Artë? Objektivi im është të jap gjithmonë më të mirën dhe të shënoj sa më shumë gola.
Fitimi i këtij çmimi varet edhe nga trofetë që fiton me skuadrën, kjo ka shumë rëndësi. Sinqerisht nuk e mbaj mendjen te Topi i Artë, por mendoj se gjithçka është e mundur në këtë jetë“, deklaron goleadori polak, i cili mund të shpallet kampion sonte nëse Bayerni fiton në fushën e Werder Bremen. Djemtë e Flick ndodhen në garë edhe për fitimin e Champions League e Kupës së Gjermanisë.