Votimi i kabinetit qeveritar që do të drejtohet nga ai u bë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, njofton Gazeta Mejdani.
Deri te ky zhvillim erdhi pas prishjes së koalicionit qeverisës në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që u pasua nga një mocion mosbesimi i inicuar nga partia që drejtohet nga Isa Mustafa.
Me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 25 mars 2020 votuan mocionin ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti që ishte zgjedhur me 3 shkurt.
Pas këtyre zhvillimeve dhe konsultimeve me partitë politike, më 30 prill, Presidenti Hashim Thaçi e mandatoi zyrtarisht Avdullah Hotin për ta formuar Qeverinë e re.
Po në të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje e dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e kreut të shtetit për dekretimin e Hotit për pozitën e të parit të ekzekutivit.
Kushtetuesja më 28 maj vendosi që t’i japë të drejtë presidentit Thaçi rreth dekretit për mandatarin e Qeverisë.
Kushtetuesja vlerësoi se presidenti kishte vepruar në përputhshmëri me nenin 82, paragrafi 2, të Kushtetutës me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër nga LDK-ja. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, votimi i suksesshëm i mocionit të mosbesimit nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re. Ajo po ashtu ka shfuqizuar masën e përkohshme të pezullimit të këtij dekreti.
Në vendim u tha se “dështimi i marrjes së votave të nevojshme në Kuvend apo refuzimi i këtij mandati, kalon të drejtën e formimit të Qeverisë te një parti politike ose koalicion që mund të ketë shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë”.