Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur edhe rreth idesë së vendosjes së reciprocitetit në raport me Serbinë.
Osmani është shprehur se kjo është temë e diskutuar gjatë, por si temë komplekse kërkon studim më të thellë dhe më gjithëpërfshirës.
“Programi ynë qeverisës i ka trajtuar të dyja këto çështje, sa i përket zëvendësimit të tarifës me reciprocitet, është temë e diskutuar gjatë por është temë komplekse që kërkon studim edhe më të thellë edhe më gjithëpërfshirës sepse nuk prek vetëm punën e kryeministrit dhe qeverisë apo kuvendit, por nënkupton bashkëpunim edhe me shumë akterë të tjerë”, tha Osmani.
Ajo është shprehur se ekziston vendimi politik dhe sipas saj vendimi final duhet të studiohet më tepër.
“Çështja e reciprocitetit në masë të madhe prekë edhe 33 marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë prandaj duhet të studiohet se sa nga këto çështje janë pjesë e marrëveshjes dhe sa do të trajtohen në dialog tash e tutje. Unë nuk mund të jap datë se kur do të ndodh dhe më saktë mund tëthuhet nga qeveria, por kjo kërkon më shumë studim dhe më shumë gjithëpërfshirje. Vendimi politik është, taksa largohet dhe reciprociteti si vendim i marrëdhënieve të mira politike, do të hyjë në fuqi”, tha Osmani.