SHBA ka konfirmuar tre raste të reja të koronavorusit vdekjeprurës nga Kina, duke e çuar në pesë numrin e të diagnostikuarve.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka njoftuar se dy persona në California dhe një në Arizona janë diagnostikuar me virusin. Që të tre kishin vizituar qytetin kinez Wuhan, ku fillimisht u shfaq virusi.
Dy rastet e para në SHBA u konfirmuan javën e kaluar, një në Seattle, Washington dhe një tjetër në Chicago, Illinois. Koronavirusi, i emëruar kështu pasi nën mikroskop ngjan me një kurorë, ose koronë në gjuhën latine, ka shkaktuar vdekjen e të paktën 80 njerëzve në Kinë, ndërsa më shumë se 2.700 persona janë infektuar.
Qytetet janë vënë në karantinë dhe Kina po ndërton një spital me kapacitet për 1.000 persona për të infektuarit. Virusi gjithashtu është shpërndarë në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë, SHBA, Singapor, Francë, Vietnam dhe Kanada. Udhëtarët nga Kina po kontrollohen për virusin në aeroportet në mbarë botën, ndërsa shumë linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në Wuhan.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbajti një takim të enjten, ku prolongoi vendimin për shpalljen e emergjencës shëndetësore, duke thënë se kishte nevojë për më shumë informacion në lidhje me virusin.