Në rrugën “Enver Miftari”, në Gjilan, është përfshirë nga flakët një depo.
Rreth orës 14:00 në qytetin e Gjilanit, përkatësisht në rrugën “Enver Miftari”, është përfshirë nga zjarri një depo e riciklimit të materialit të plastikës.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit.
Hashani ka bërë të ditur se ende nuk dihet shkaqet e zjarrit mirëpo siç theksoi ai, fatmirësisht nuk ka ndonjë person të lënduar.
“Po ka ndodhur rreth orës 14:00 në një depo të riciklimit të materialit të plastikës ka shpërthyer zjarri. Ende nuk e dimë arsyen për momentin. Ka dëme materiale mirëpo fatmirësisht nuk ka të lënduar”, ka bërë të ditur Hashani për lajmi.net.
Ndryshe në mediet sociale është publikuar edhe një video e momentit kur ka shpërthyer zjarri e si rrjedhojë e tij, edhe tymi ka kapluar një pjesë të madhe të qytetit të Gjilanit, gjë që ka ngritur shqetësim edhe te banorët.