
Lëvizja Vetëvendosje (LV), ka reaguar pas protestës së sotme të punëtorëve shëndetësor, të cilët “kërcënuan” me grevë, në rast se nuk u plotësohen kërkesat, transmeton Kosova Post.
Për më shumë ata kanë kërkuar rregullimin e gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari 2022.
Mirëpo, kërkesave të tyre u është kundërpërgjigjur LV, teksa ka thënë se “është PO për interesat e profesionistëve shëndetësor!”, por është kundër “interesave të grupeve në shërbim të partive politike.
Ky është reagimi i plotë i LV-së:
PO për interesat e profesionistëve shëndetësor!
JO me interesat e grupeve në shërbim të partive politike!
Blerim Syla i FSSHK, si sindikalist që është në vend se të jetë argat i interesave të punëtorëve shëndetësorë, ai po i instrumetalizon ata përsëri, siç bën zakonisht në prag të zgjedhjeve. Ai nuk po kërkon përgjegjësi te ata të cilëve iu vë në shërbim e që e mashtruan me ligjin për paga, por organizon protestë kundër një qeverie të re pikërisht në javën finale të fushatës për zgjedhjet lokale. Nëse në herat e kaluara i ka përdorur punëtorët shëndetësorë si mbështetje paraelektorale për një subjekt apo tjetër, tash po provon që t’i përdorë ata kundër kryetarit të ardhshëm të Prishtinës, Dr. Arben Vitia.
Ligji i pagave do të bëhet ashtu siç duhet dhe për këtë po punohet intensivisht. Rritja e pagave është synim që duhet të ndjekë rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike, e jo premtim i parealizuar për qëllime elektorale./KosovaPost/

