Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi ka kërkuar gjatë mbledhjes së radhës të KQZ-së që të mos anulohen votat e diasporës të cilat përmbajnë dokumente me afat të skaduar por që janë të vlefshme.
Sipas tij, nëse kjo bëhet, atëherë mërgimtarët po diskriminohen pasi ditën e zgjedhjeve, më 14 shkurt KQZ-ja ka marrë vendim që të lejohen të votojnë personat me dokumente me afat të skaduar.
“Ne këtu kemi marrë një vendim që personat me dokumente që janë të vlefshme por pa afat, të mund të votojnë. Nuk mund të bëjmë një trajtim të ndryshëm të personave që kanë dërguar votat me postë me ata që kanë votuar në Kosovë. Kisha kërkuar nga KQZ-ja që të gjitha rastet që kanë dërguar votat e tyre dhe kanë dokumente pa afat por janë të vlefshme, të mos refuzohen se përndryshe do të ishte një diskriminim”, ka thënë Kurteshi.
Ndërkaq, përfaqësuesi tjetër i VV-së, Alim Rama ka kritikuar gjatë mbledhjes punën e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve duke thënë se po vonohet tej mase në përpunimin e të dhënave.