Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit para mediave ka folur kryetari, Kadri Veseli.
Veseli ka thënë se beson që pas datës 26 dhjetor Kosova do të ketë institucione të reja dhe se Partia Demokratike do të jetë në opozitë.
“Unë besoj në Zotin, kombin tim këto tjerat pak më bëjnë përshtypje, ne do jemi konsistent në mbrojtjen e interesave të qytetarëve. S’kemi luks të presim më gjatë për krijimin e qeverisë së re”, ka deklaruar Veseli raporton lajmi.net.
Tutje, ai ka thënë se po ndihet shumë i lehtësuar pasi po e përfundon mandatin.
“E ndjej veten shumë i lehtësuar. Jam shumë i lumtur kur zyrtarisht e përfundoj mandatin tim me seancën konstituive të Kuvendit. Ndonjëherë e kam vënë veten në situata që ta poshtroja veten, por kam pas dëshirë që asnjë deputet në legjislaturën time të mos ndihet i poshtëruar”, tha Veseli kur u pyet se si po ndihet kur është mbledhja e fundit që mbajti Kryesia e Kuvendit.
Veseli u pyet edhe për dëshminë e Kurtit në Prokurorinë Themelore në lidhje me organizatën “Syri i Popullit”.
Veseli, ka thënë se organizata Syri i Popullit është përgjegjëse për të gjitha sulmet që kanë ndodhur në pesë vitet e fundit ndaj eksponentëve të qeverisjeve të kaluara.
Ai tha se kjo Organizatë nuk është fiktive por shumë reale, pasi njerëzit e saj janë zënë në flagrancë.
Duke iu përgjigjur akuzave të kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti lidhur me organizatën Syri i Popullit, njerëzit e së cilës janë pjesë e Vetëvendosjes, Kadri Veseli tha se Kurti po përpiqet t’i ikë të vërtetës së dështimit dhe paaftësisë për të krijuar institucionet.
“Tentativa për t’i ikur të vërtetës dhe paaftësia për ta krijuar koalicionin qeveritar me improvizime për Syrin e Popullit është një tentativë e dyfishtë nga paaftësia për të realizuar premtimin që e kanë pasur para qytetarëve të vendit Lëvizja Vetëvendosje. Syri i Popullit nuk është diçka fiktive por është reale. Ka njeri të plagosur. Ka njeri të zënë në flagrancë në veprim. Ka veprime të cilat janë konsistente të cilat janë promovuar që nga Kuvendi i Kosovës e pastaj edhe në rrugë. Ka djegie të makinave, ka sulme të eskortës së kryeministrit, ka sulme të zëvendëskryeministrave, ka sulem të deputetëve, ka sulme të familjeve të eksponentëve që kanë qenë gjatë këtyre pesë viteve në qeverisje në pjesën e pozitës, e të cilat i kanë bërë Syri i Popullit. Pavarësisht ndonjë prokurori të korruptuar ose që frikësohet e mendon se në rrethana të reja mund t’i mbyllë rastet, nuk do të mbyllen rastet. Donë të thotë secili duhet të përgjigjet për veprimet që i ka kryer. A sa për mua, unë do t’i shkojë deri në fund në aspektin ligjor dhe bash nuk bënë përshtypje për asnjë individ”, tha Veseli. /Lajmi.net/
Discussion about this post