U nda nga jeta Naimi duke u gdhirë e shtuna, ora 2 e mëngjesit, dita e njëzet tetorit të motit 1900. Varrimi u bë të nesërmen, ditën e diel, 21 tetor 1900, në Teqen e Bektashinjëve të Merdiven Qoit në Stamboll. Varri u ngrit në krah të varrit të Abdyl Frashërit, i cili ishte i veshur i tëri me mermer të bardhë dhe, mbi të, një pllakë e zezë ku qenë gdhendur fjalët e Naimit: “Të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës Mëmëdheut”.
Eshtrat e Naim Frashërit shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25 vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor 1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit.
Shefki Shatku, nënkolonel, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishta. Populli kishte mbushur sheshet dhe rrugët e Tiranës dhe hidhte lule dhe vetëm lule mbi arkivolin me eshtrat e Naimit.
Ndodhi ajo që tha Faik Konica më 1901. “Treqind shqiptarë t’anës kombëtare e shpunë në vënt të funtmë. Treqind veta e përcuallë … Një ditë do të vijë që shqiptarët do t’i sjellin të mbeturat e Naim Beut në atë Shqipëri … Ahere, nuk do ta përcjellin treqind atdhetarë, por do ta presë një komb i tërë”, – shkruante Faik Konica, “Albania”, Bruksel, Nr.4, 20.04.1901.
Në ceremoninë e organizuar në Tiranë, ndër shumë të tjerë, në emër të familjes së Naim Frashërit, foli deputeti Hysref Frashëri nga trungu i familjes afër të cilit ishte familja dhe vajza e Nevrezit, Naime Rusi.
Edhe para arkivolit me eshtrat e Naimit, ndër shumë kurora, ishte edhe kurora e vendosur nga mbesa e Naimit, nga Naime Xhelal Rusi. Arkivoli me eshtrat e Naim Frashërit u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post