Në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut do të rikujtoj diçka që lidhet me Vaclav Havelin, dramaturgun, eseistin dhe politikani çek, i cili qëndroi në krye të shtetit të Çekosllovakisë në periudhën 1989-1992 dhe pas ndarjes së këtij shteti në dy shtete të pavarura ai qëndroi në krye të Republikës së Çekisë në periudhën 1993-2003.
Shkruan: Bardhyl Mahmuti
Pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë ai shprehu pikëpamjet e veta lidhur me raportin ndërmjet të drejtave të njeriut dhe sovranitetit të shtetit. Në intervistën e botuar në gazetën “Republika” dhe “Le monde” të datës 29 prill 1999 Vaclav Havel deklaroi:
“Kam marrë shumë letra nga aktorë serbë që kanë vënë në skenë pjesët e mia teatrale dhe që më vlerësojnë shumë. Më pyesin se ç’të keqe kanë bërë ata që të bombardohen në këtë mënyrë? Natyrisht mua nuk më kanë bërë asgjë të keqe. Por, regjimi i tyre i përdor ushtarët për të masakruar qytetarët e vendit të vet, për të masakruar një grup shumë të madh të bashkëvendësve të tyre (…) Milosheviqi i ka duart e përgjakura dhe nuk mund të vazhdojë të jetë bashkëbisedues për gjetjen e një zgjidhjeje politike (…)
Në përputhje me parimin që rrjedh nga solidariteti njerëzor e që i tejkalon kufijtë e shteteve, të regjioneve (…) atë që ky regjim po u bën shqiptarëve është njëlloj sikur të ma bënte mua”- deklaroi ai në këtë intervistë. Vetëm në kontekst të solidaritetit me viktimat e dhunës së regjimit të Milosheviqit duhet të shihet deklarimi i Vaclav Havelit: “Edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar”!
“Mendoj se në ndërhyrjen e NATO-s ka një gjë që askush nuk mund ta kundërshtojë: sulmet dhe bombat nuk janë të nxitura nga ndonjë interes material. Karakteri i tyre është ekskluzivisht hu¬ma¬nitar. Këtu kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut, që janë prioritet. Dhe këto të drejta qëndrojnë më lart se sovraniteti i shteteve. Ja çka e bën të ligjshme sulmin kundër Federatës Jugo¬sllave, edhe pse nuk e ka mandatin e Kombeve të Bashkuara.” – përfundon qëndrimin e vet Vaclav Haveli.
Discussion about this post