Turqia reagoi ndaj letrës që Kryeministri i Greqisë, Kiryakos Mitsotakis i dërgoi Presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel në lidhje me Turqinë.
Turqia reagoi ndaj letrës që Kryeministri i Greqisë, Kiryakos Mitsotakis i dërgoi Presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel në lidhje me Turqinë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy e cilësoi propozimin që Mitsotakis i bëri Presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel për mbështetje financiare ndaj Turqisë sipas numrit të refugjatëve si një “produkt i arsyetimit shumë të shtrembur dhe të pamoralshëm”.
Aksoy bëri një deklaratë në shkrim në lidhje me letrën e Kryeministrit grek për Turqinë drejtuar Macronit dhe Merkelit.
Duke rikujtuar se Kryeministri grek Mitsotakis, në letrën e tij drejtuar Presidentit francez Macron dhe kancelares gjermane Merkel, ka propozuar që kontributi financiar për Turqinë (në lidhje me refugjatët) të jetë në përpjesëtim me uljen e flukseve drejt Evropës, zëdhënësi Aksoy shkroi:”Ndërkohë që para syve të gjithë botës është ende i freskët trajtimi çnjerëzor dhe i turpshëm i Greqisë ndaj azilkërkuesve që mbërritën në kufijtë e saj, propozimi i këtij vendi për të siguruar ndihmë financiare mbi numrin e refugjatëve është produkt i një perceptimi tejet të shtrembëruar dhe imoral. Deri më sot, Turqia ka shpenzuar 40 miliardë dollarë për 4 milionë azilkërkues (refugjatë), të cilët i ka pritur vetëm për arsye humanitare.”
“Nga ana tjetër Bashkimi Evropian, nga 6 miliardë euro që i është zotuar Turqisë për (4 milionë) sirianë, deri sot vetëm ka dërguar vetëm 2.7 miliardë euro, kurse për 100 mijë azilkërkues në Greqi ka dhënë një ndihmë prej afërsisht 3 miliardë euro”, shkroi Aksoy.
Ai shtoi: Propozimi ynë është i përhershëm: “Greqia mund t’i marrë në vendin e saj azilkërkuesit që ndodhen në Turqi. Kurse BE-ja mund të sigurojë ndihmë financiare për Greqinë për azilkërkuesit. Në përputhje me parimin e fqinjësisë edhe ne do ta mbështesim Greqinë financiarisht”.
Kryeministri i Greqisë, Kiryakos Mitsotakis i kishte dërguar një letër Presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel, duke u propozuar që ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë të nënshkruhet një marrëveshje e re për refugjatët për një mbështetje financiare ndaj Turqisë sipas numrit të refugjatëve në porporcion me rritjen dhe uljen e numrit të tyre.
Ai kishte bërë të ditur gjithashtu se Turqia zotëron forcën për të kontrolluar plotësisht flukset e refugjatëve dhe pretendon se Ankaraja i përdor refugjatët si një mjet presioni ndaj BE-së.