Shumë herë është folur rreth marrëdhënieve mes Turqisë dhe SHBA-ve. Ka pasur mendime se kohëve të fundit ato janë tendosur dhe se janë duke u kthyer prapa ditë e më shumë. Të këtij mendimi janë edhe disa analistë në trevat shqiptare për të cilët mund të thuhet se kanë nevojë të njohin edhe më mirë raportet mes këtyre dy vendeve, shkruan Gazeta Mejdani.
Megjithatë, faktet historike dhe politike nuk e thonë të njëjtën. Mes këtyre dy vendeve ka një lidhje specifike që nga themelimi i Turqisë, e sidomos pas Luftës së Dytë Botërore.
Në vija të trasha, mes këtyre dy partnerëve strategjik, vështirë të ndodhin gjëra që mund t’i kthejnë prapa marrëdhëniet mes dy vendeve.
Për më tepër, siç shkruan Anadolu Agency, Ministri i Mbrojtjes i Turqisë Hulusi Akar, është shprehur se krahas dallimit në mendime, Turqia dhe SHBA kanë marrëdhënie strategjike të rrënjosur thellë.
“Në marrëdhëniet tona me SHBA-të, ndonjëherë ka ngritje e zbritje dhe dallime, si me vendet e tjera, por të dy vendet kanë një traditë të gjatë bashkëpunimi”, tha Akar në një ngjarje virtuale të organizuar nga Forumi Ndërkombëtar i Sigurisë, Halifax, me bazë në Washington .
Ai tha që të dy vendet po punojnë së bashku, krah për krah në Kore, Somali, Ballkan, Afganistan dhe rajone të tjera. Por, shtoi ai, dallimet shpesh e lënë në hije bashkëpunimin, i cili duhet të shmanget.
Në një video të shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë në Twitter, Akar theksoi rolin aktiv të Turqisë në NATO, të cilës iu bashkua në vitin 1952.
“Si një aleat i NATO-s për gati shtatë dekada, Turqia ka dhënë kontribute thelbësore në sigurinë Euro-Atlantike”, tha ai duke shtuar se Turqia është në mesin e pesë kontribuuesve më të mëdha të trupave në misionet dhe operacionet e NATO-s dhe midis tetë kontribuuesve kryesorë financiarë në bllok.
“Në aleancën prej 30 kombeve, pikëpamjet dhe qasjet e ndryshme janë mjaft normale. Forca e NATO-s qëndron në aftësinë e saj për të kapërcyer dallimet. Turqia është në thelb të NATO-s, duke ndarë vlerat e saj dhe duke përmbushur të gjitha përgjegjësitë e saj”, tha ministri./Gazeta Mejdani/