Në lidhje me përshëndetjen islame “selamun alejkum”, kohëve të fundit në Turqi është nisur një debat i nxehtë nëpër rrjetet sociale dhe në disa media. Për këtë çështje ka shkruar edhe Dr. Mustafë Bajrami i cili sjell një shkrim në lidhje me temën, raporton Gazeta Mejdani.
Ai shkruan se secili ka të drejtë të përshëndes në mënyrën që dëshiron. Mjafton që përshëndetja të jetë e përzemërt.
Megjithatë, shton ai “Selamun alejkum” është përshëndetje islame, jo arabe dhe se është simbol i univerzalizmit islam. Njëjtë kështu siç është simbol edhe ezani.
Shkrimin e gjeni të plotë në llogarinë e tij në Facebook:
Në Turqi kohëve të fundit nëpër rrjetet sociale ka nisë një debat i ashpër rreth përshëndetjes islame “Selamun alejkum”.
Një nacionalist i rryer, por shumë i paditur, tani deputet në Parlamentin e Turqisë, në një paraqitje të tij para deputetëve me një zë skajshmërisht të lartë thotë se duhet pëshëndetur në gjuhën turke “Gunaydin” (Mirëdita) e jo me “Selamun alejkum” në arabisht. “Unë a jam arab që të përshëndes në arabisht?! Jo, unë jam turk dhe në turqisht dua t’i përshëndes njerëzit”, bërtet sikur i tërbuar në foltoren e parlamentit.
Këtu dua të bëjë një sqarim.
Secili njeri ka të drejtë të përshëndes në cilën do gjuhë që dëshiron. Mirëpo, një gjë nuk duhet harruar se përshëndetja me “Selamun alejkum” është përshëndetje islame që tejkalon kuptimin etimologjik të arabishtes. Ajo shpreh universalizmin e Islamit që rrezaton në secilin njeri dhe në secilin cep të botës. Universalizmi është shah-damari i kësaj feje.
Sa do që gjuhësisht është fjalë arabe, ajo nuk është e arabëve, por është e gjithë muslimanëve. Sikur ezani. Ezani është simbol i Islamit dhe në gjithë botën thirret në gjuhën që e ka folur Muhamedi a.s. dhe në të cilën ka zbritur Kur’ani. Njëjtë kështu edhe përshëndetja me “Selamun alejkum” është simbol universal islamik.
Mbase, mbase, vetë Muhamedi a,s, i porositë besimtarët që të përshëndeten me selam, që ta përhapin selamin dhe t’ia dëshirojnë paqen njëri tjerit, pa marrë parasysh gjuhën, etninë, ngjyrën, racën apo kulturën e njerëzve.
Sa për rikujtim, fjala “Selam” donë të thotë paqe….!