Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se nuk i intereson nëse Irani hyn në negociata për të de-eskaluar tensionet në vazhdim me Washingtonin, megjithëse këshilltari i tij i Sigurisë Kombëtare sugjeroi se Teherani nuk ka mundësi tjetër pas sanksioneve dhe kundërshtimeve të SHBA-ve, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Këshilltari i Sigurisë Kombëtare sot sugjeroi se sanksionet dhe kundërshtimet i kanë ‘marrë frymën’ Iranit. Do ta detyrojnë atë të negociojë. Në të vërtetë, mua nuk do të më interesonte nëse ata negocionojnë. Do të varet plotësisht prej tyre, por pa armë bërthamore dhe mos i vritni protestuesit tuaj”, shkroi Trump në Twitter.
Protestuesit dolën në Teheran dhe në qytete të tjera kundër liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, pasi Irani pranoi se “padashje” qëlloi një avion pasagjerësh që i përkiste linjës ajrore ndërkombëtare të Ukrainës.
Disa orë para rrëzimit, Irani lëshoi raketa ndaj bazave ushtarake në Irak, ku ishin të vendosura trupat amerikane dhe të koalicionit. Sulmi ishte një hakmarrje për vrasjen e gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, në një sulm ajror amerikan, veprim i cili përshkallëzoi tensionet në rajon midis Washingtonit dhe Teheranit.
Zyrtarët iranianë thanë se ushtria e tyre ishte në gatishmëri të lartë në rast të hakmarrjes amerikane dhe kjo çoi në besimin se avioni fatkeq ishte një avion armik.
Fluturimi PS752 u ngrit dhe fluturoi afër një “vendi të ndjeshëm ushtarak” dhe ai u rrëzua për shkak të një “veprimi të gabuar njerëzor”.
“Gabimi njerëzor në një kohë krize të shkaktuar nga aventurizmi amerikan çoi në katastrofë”, shkroi pas incidentit në Twitter kryediplomati iranian, Javad Zarif.
Duke përmendur videot e protestave të fundit, “New York Times” raportoi se disa protestues brohorisnin “Khamenei është një vrasës”.
Të shtunën, Trump mbështeti protestuesit iranianë kundër qeverisë, duke theksuar se administrata e tij gjithmonë ka qëndruar me popullin “trim dhe shpirtgjerë” të Iranit dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë.
“Po ndjekim nga afër protestat tuaja dhe jemi të frymëzuar nga guximi juaj”, shkroi Trump në Twitter.
Trump po ashtu i kërkoi Teheranit që t’i lejojë grupet e të drejtave të njeriut të monitorojnë protestat.
“Qeveria e Iranit duhet të lejojë që grupet e të drejtave të njeriut të monitorojnë dhe raportojnë fakte nga terreni në protestat e vazhdueshme nga populli iranian. Nuk mund të ketë një masakër tjetër të protestuesve paqësorë, as shuarje të internetit. Bota po shikon”, shkroi Trump.