Numri i gjobave të shqiptuara ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat e komunikacionit është rritur ndjeshëm.
Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Nënkolonel Jeton Rexhepi, ka thënë për Kp se këtë vit numri i gjobave është rritur me 62 për qind.
“Duke marrë parasysh gjendjen e sigurisë në trafikun rrugor, Policia e Kosovës që nga fillimi i vitit ka qenë aktive në prezencë policore dhe në zbatim të planeve operative të ndryshme të cilat kanë për qëllim apo kanë pasur për qëllim vetëdijesimin dhe sensibilizimin e pjesëmarrësve në trafikun rrugor.
Për këtë arsye në qofte se i marrim këto aktivitete dhe shohim se sa ka punuar policia e Kosovës, i bie që Policia e Kosovës në këtë tre mujor ka shqyrtuar rreth 160 mijë gjoba për kundërvajtje në trafikun rrugor, ndërsa periudhën e njëjte në vitin e kaluar kanë qenë 98 mijë gjoba në trafik. Me përqindje rreth 62% më shumë gjoba sesa periudha e njëjtë të vitit kaluar”, theksoi Rexhepi.
Në Kosovë, aktualisht është duke u zhvilluar Java e Sigurisë Rrugore.