Shefat e diplomacisë së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë kanë shprehur ngushëllime për viktimat nga orteku, si dhe për aksidentin ajror në aeroportin Sabiha Gökçen në Stamboll të Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, në rrjetet sociale shkroi se është “shumë pikëlluese të dëgjosh për jetët e humbura në ortekun në Turqi”.
“Qëndroni të fortë Mevlüt Çavuşoğlu (kryediplomati turk) dhe të gjithë të tjerët në Turqi. Ngushëllime të përzemërta për familjet e viktimave dhe të gjithë miqtë tanë turq”, shkroi Dimitrov.
Ndërkaq, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, në rrjetet sociale shprehu ngushëllime për “vëllezërit turq dhe familjet e viktimave”.
“Thellë i pikëlluar nga tragjedia në Bahçesaray, në Turqinë lindore dhe nga aksidenti ajror në aeroportin Sabiha Gökçen në Stamboll. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për vëllezërit tanë turq dhe familjet e viktimave”, shkroi Cakaj.
Kujtojmë se të paktën 38 persona humbën jetën si pasojë e ortekëve në Van në lindje të Turqisë. 33 nga viktimat ishin duke punuar për të shpëtuar dy persona të zhdukur, të cilët u bllokuan nga orteku i parë të martën në mbrëmje që shkaktoi vdekjen e 5 personave.
Nga ana tjetër, një avion i një kompanie private ajrore rrëshqiti jashtë pistës në aeroportin “Sabiha Gokcen” të Stambollit, ku 3 persona humbën jetën dhe më shumë se 190 të tjerë u plagosën.