Përmes analizës së titulluar “Fituesja më e madhe nga lufta Azerbajxhan-Armeni është Turqia”, e cila mban firmën e gazetarit James Kilner, gazeta “The Telegraph” komenton se Armenia nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të pranonte një marrëveshje paqeje “poshtëruese”, e cila siguron dominimin e Azerbajxhanit.
Më poshtë vijon artikulli i plotë:
Kremlini mund të ketë siguruar paqen në Kaukazin Jugor me marrëveshjen e tij për t’i dhënë fund një lufte gjashtëjavëshe ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit për Karabakun Malor, por luftën e ka fituar Turqia.
Mbështetja e fortë politike turke, dronët turq të teknologjisë së fundit dhe këshillat e ushtarakëve turq me përvojë e anuan ekuilibrin në favor të Azerbajxhanit duke i mundësuar atij liri manovrimi mbi pozicionet armene në atë që konsiderohej të ishte kështjella malore gati e pathyeshme e Karabakut Malor.
Fundjavën e kaluar, Presidenti Ilham Aliyev i Azerbajxhanit tha se ushtarët e tij kishin çliruar qytetin Shusha dhe se objektivi i tyre i ardhshëm ishte Khankendi. Armenia mohoi se kishte humbur kontrollin e Shushës, por ishte e qartë se Azerbajxhani kishte shënuar suksese të mëdha ushtarake.
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ndoshta nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të pranonte një marrëveshje “poshtëruese” paqësore që siguron dominimin e Azerbajxhanit dhe detyron ushtarët e tij të largohen nga zona përreth.
Që kur një armëpushim i vitit 1994 përfundoi luftën e parë për Karabakun Malor, luftimet janë ndezur në mënyrë sporadike ndërmjet forcave azerbajxhanase dhe armene. Azerbajxhani, megjithatë, arriti pak vëmendje në këto përleshje duke nënvizuar se sa mbresëlënëse kanë qenë sukseset e tij në gjashtë javët e fundit.
Dallimin e ka bërë Turqia dhe tani ajo do të korrë shpërblimet politike. Një politikë e jashtme proaktive në zgjerim është thelbësore për imazhin e Turqisë. Ajo ka forca në Sirinë fqinje e në Libi, kurse tani ka ndikim të madh edhe në Kaukazin Jugor.
Ankaraja gjithashtu ka shtyrë qeveritë e Azisë Qendrore, me lidhjet e tyre turke dhe islame, për të mbështetur Azerbajxhanin. “Fuqia e fortë” u bën përshtypje këtyre ish-shteteve sovjetike dhe shpërblimet e Turqisë do të rriten.
Armenia dhe Kryeministri Pashinyan janë humbësit e mëdhenj. Ideja e një ushtrie armene të armatosur mirë dhe sypatrembur, e cila mbron Karabakun Malor nga Azerbajxhani, është thelbësore për Armeninë moderne. Për Pashinyanin humbja e kontrollit të rajonit vetëm dy vjet pasi u shty në pushtet në një revolucion, ndoshta do të shkurtojë karrierën e tij politike.
Lufta gjithashtu ka treguar hapësirën e kufizuar të Rusisë për manovrim në Kaukazin Jugor. Tani ajo ka nevojë për mbështetje turke, qoftë edhe në prapavijë, për të vendosur stabilitetin. Kremlini u përpoq dy herë të vendoste armëpushim, por të dy dështuan. Vetëm tani, kur lufta ishte afër një përfundimi dhe disa mijëra njerëz ishin vrarë, Kremlini ishte në gjendje të siguronte një marrëveshje paqeje domethënëse. Çmimi ishte angazhimi i 2.000 ushtarëve rusë si paqeruajtës.
Sa i përket Perëndimit, ai është dukur pa interes.
Një përpjekje për armëpushim e negociuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shkel gati përpara se boja të thahej në dokumente. I shpërqendruar nga koronavirusi, sulmet terroriste dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA, Perëndimi ka humbur domethënien e luftës në këtë ish-rajon sovjetik.