Presidenti i vendit Hashim Thaçi, sot ia ka nisur edhe një letër Lidhjes Demokratike te Kosovës, të dytën brenda pak ditësh, ku i është kërkuar emri i mandatari për formimin e qeverisë së re.
Kjo është bërë e ditur nga LDK-ja përmes një postimi në Facebook.
“Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Isa Mustafa, sot ka pranuar letrën e dytë nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, lidhur me përpjekjet për formimin e shumicës parlamentare dhe krijimin e qeverisë së re”, thuhet në njoftim.
Po ashtu LDK thotë se Mustafa, e ka siguruar Presidentin se në një të ardhme shumë të afërt do të krijoj shumicën parlamentare dhe propozoj kandidatin për Kryeministër të Kosovës.
“Kryetari i LDK-së, Dr. Isa Mustafa, ia ka kthyer letrën duke e njoftuar për angazhimet dhe takimet intenzive të LDK-së, për të krijuar shumicën parlamentare, si dhe ka siguruar Presidentin se në një të ardhme shumë të afërt do të krijoj shumicën parlamentare dhe propozoj kandidatin për Kryeministër të Kosovës”.
LDK-ja tashmë ka zgjedhur kandidatin për qeverinë e re, Avdullah Hotin, por sipas saj, emrin e tij ende nuk e ka dërguar në Presidencë për ta mandatuar, meqë është në bisedime me partnerët e ardhshëm të koalicionit, AAK, NISMA-AKR dhe komunitetet.