
Në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë qytetarët të përfshirë nga paniku kanë braktisur shtëpitë duke qëndruar në ambiente të jashtme, pasi janë regjistruar edhe mbi 100 lëkundje të tjera dhe autoritetet thonë se situata mbetet ende aktive.
Numri i viktimave nga tërmeti që sot goditi Shqipërinë sipas autoriteteve të vendit ka shkuar në 18, ndërkohë mbi 600 persona janë plagosur dhe 41 janë shpëtuar nga rrënojat, raporton Anadolu Agency (AA).
Shqipëria u godit nga dy tërmete të fuqishme, me epiqendër në Durrës në orën 3:55 me magnitudë 6,3 në thellësi 10 kilometra dhe më vonë me një magnitudë 5 në Kepin e Rodonit.
Në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë qytetarët të përfshirë nga paniku kanë braktisur shtëpitë duke qëndruar në ambiente të jashtme, pasi janë regjistruar edhe mbi 100 lëkundje të tjera dhe autoritetet thonë se situata mbetet ende aktive.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë ka konfirmuar se në spitalet e Tiranës, Durrësit, Krujës, Kurbinit dhe Lezhës kanë marrë shërbim mbi 600 të lënduar si pasojë e tërmetit”.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, ka njoftuar pezullimin e mësimit në të gjitha shkollat, kopshtet, çerdhet e vendit edhe për ditën e nesërme, “në mënyrë që familjet të qëndrojnë së bashku dhe ta përballojnë situatën duke u solidarizuar me ata që u prekën më së shumti nga kjo tragjedi”.
“Ndaj kemi vendosur që të pezullojmë mësimin në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e vendit (përfshirë jo-publiket) edhe ditën e nesërme (datë 27 Nëntor, 2019) në mënyrë që familjet të qëndrojnë së bashku dhe ta përballojnë situatën duke u solidarizuar me ata që u prekën më së shumti nga kjo tragjedi”, tha ajo.
Tërmeti ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, probleme të shumta në telekomunikacion dhe ndërprerje të energjisë elektrike në qytetet e vendit.
Tërmeti është ndjerë edhe në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Malin e Zi.
Reagime për tërmetin
Në lidhje me pasojat që ka shkaktuar tërmeti presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri i vendit, Edi Rama kanë deklaruar se pasojat e tërmetit në Durrës janë dramatike dhe se kërkojnë organizim të jashtëzakonshëm, jo vetëm shtetëror, por mbarëqytetar.
Ndihmat, mbështetja dhe solidariteti nga vendet fqinje, por edhe më gjerë, nuk kanë munguar.
Kosova ka dërguar ekipet e shpëtimit për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në Shqipëri, ndërkohë qeveria kosovare në një seancë të jashtëzakonshme ndau një ndihmë financiare prej 500 mijë eurove. Maqedonia e Veriut po ashtu ka dërgua ekipe të shpëtimit dhe ka ndarë një ndihmë financiare prej rreth 100 mijë euro.
Turqia ka vendosur të dërgojë një ekip të shpëtimit, tre automjete, Ekipin Kombëtar të Shpëtimit Mjekësor dhe një avion të Forcave Ajrore Turke për të ndihmuar në punimet e kërkimit dhe shpëtimit në rajon.
Më herët, kryeministri Rama tha se “miqtë e Shqipërisë po aktivizohen me shpejtësi”, duke përmendur kontaktet për ngushëllime dhe për mbështetje nga liderët e rajonit dhe më gjerë. Ai bëri të ditur se Italia dhe Greqia nisën avionët me skuadrat speciale, ambasadat e Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-ve njoftuan gatishmërinë, përfshirë edhe Mali i Zi, Kroacia, të cilët kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar me mekanizmat e tyre.
Ndërkohë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur të mërkurën ditë zie në Kosovë dhe me vendim të tij të gjithë flamujt në institucione janë ulur në gjysmë shtizë.
Discussion about this post