Franca të mërkurën tha se do të rrisë përkohësisht praninë e saj ushtarake në Mesdheun Lindor në ditët në vijim, raporton Anadolu Agency (AA). Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, diskutuan mbi situatën e fundit në rajon, tha zyra e Macronit në një deklaratë.
Duke nënvizuar rëndësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes dialogut, Macron tërhoqi vëmendjen për nevojën e “konsultimeve më të mëdha” midis Greqisë dhe Turqisë dhe përshëndeti iniciativën e ndërmjetësimit nga Gjermania.
Ai gjithashtu ka vendosur “të shtojë përkohësisht praninë ushtarake franceze në Mesdheun Lindor në ditët në vijim”, në bashkëpunim me partnerët e Bashkimit Evropian të Francës, thuhet në deklaratë.
Në kuadër të veprimtarive vëzhguese të hidrokarbureve të vendit, Turqia lëshoi një NAVTEX (teleks navigues) më 10 gusht 2020, duke njoftuar se Oruç Reis do të fillonte kryerjen e kërkimeve të reja sizmike në Mesdheun Lindor.
Vendimi i Turqisë erdhi pas marrëveshjes së diskutueshme për demarkacionin detarë të nënshkruar midis Greqisë dhe Egjiptit, vetëm një ditë pasi Turqia tha se do të shtyjë aktivitetet e saj në rajon si shenjë e vullnetit të mirë pas përpjekjeve për dialog nga Gjermania.
Por pasi e shpalli marrëveshjen “të pavlefshme”, Turqia autorizoi Oruç Reis të vazhdojë aktivitetet e saj në një zonë që është brenda pjesës kontinentale të Turqisë.
Anija do të vazhdojë aktivitetet sizmike në Mesdheun Lindor së bashku me Cengiz Han dhe Ataman deri në 23 gusht.
Turqia ka kundërshtuar vazhdimisht shpimin e njëanshëm të administratës greke qipriote në Mesdheun Lindor, duke pohuar se Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) gjithashtu ka të drejta për burimet në zonë.
Në vitin 1974, pas grusht shtetit që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankaraja u detyra të ndërhyjë si një fuqi garantuese. Në vitin 1983, u themelua TRNC.
Disa dekada më pas, përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros, të gjitha kanë përfunduar me dështim. E fundit, e zhvilluar me pjesëmarrjen e vendeve garantuese – Turqia, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar, përfundoi pa ndonjë përparim në vitin 2017 në Zvicër.
Vendimi i Turqisë për eksplorime të reja në Mesdheun Lindor ngriti alarmin në Greqi të hënën pasi Athina u përgjigj me njoftimin e vet dhe duke e vënë në gatishmëri marinën e saj.