Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i është përgjigjur deklaratave të deputetit Behgjet Pacolli, i cili, me t’u kthyer në Kosovë nga Zvicra, tha se për herë të parë ndihej i kërcënuar nga institucionet e shtetit të tij.
Megjithatë, Sveçla thotë se deklarimet e Pacollit kanë qenë të çastit dhe krejtësisht të papërgjegjshme dhe të rrezikshme për Kosovën.
“Unë, t’ju them të drejtën, nuk kam mundur t’i kuptoj deklarimet e tij, sepse disa deklarime të tij kanë qenë të çastit, shpeshherë të çoroditura. Është hera e parë që Kosova akuzohet për terrorizëm shtetëror dhe kjo vjen nga një ish-president në tentativë dhe një ish-ministër i dështuar i Punëve të Jashtme. Është me të vërtetë për keqardhje. Unë nuk mund t’i kuptoj pretendimet e Pacollit, që ai nuk do të donte t’i detyrohet asnjë farë rregulli të përcaktuar qartë nga institucionet, pas rekomandimeve nga Shëndeti Publik, ku thuhet se çdokush që futet në territor të Kosovës, do të duhej ose të shkonte në karantinë dy javore, ose të shkonte në vetizolim”, tha ai në “EuronewsAlbania”.
Ministri në qeverinë Kurti, tregon masat që ka marrë pas deklaratave të Pacollit, i cili pretendon se ka qenë objekt i një “sulmi terrorist shtetëror”.
“Ai ka deklarata ku kërkon që mos të futet as në karantinë dhe as në vetizolim. Unë besoj se një gazetari investigative do të gjente deklarata të tij, që janë deklarata të papërgjegjshme. Që në momentin e parë kur ky ka deklaruar se ndodhet i kërcënuar, kam kontaktuar drejtorin e Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj dhe i kam kërkuar që ai të vihet në kontakt me z. Pacolli dhe të marrë informata se prej nga dhe si ndihet i kërcënuar dhe normalisht t’i ofrojë të gjithë mbrojtjen e nevojshme z. Pacolli. Ai është qytetar dhe deputet i Kosovës, dhe askush nuk do kishte mundësinë dhe guximin ta kërcënonte. Deklarata e të tilla të papërgjegjshme vënë në siklet edhe autoritetet e aeroportit”, theksoi ai.
Sveçla theksoi në “Ilva Now” se autoritetet e Kosovës kanë nisur hetimet, në lidhje me pretendimet e Pacollit, i cili tha se militantë të VV-së e kanë kërcënuar atë dhe familjen e tij. Ai u shpreh se kreu i AKR-së do të merret në pyetje mbi pretendimet e tij, sapo të kthehet nga Zvicra.
“Po, patjetër, ne kemi filluar hetim këtu. Po sa Pacolli të kthehet nga Zvicra, sigurisht që njësitë e anti-terrorit do të marrin të gjithë informatat, indiciet që ai disponon për të ashtuquajturin të sulmin terrorist shtetëror. Unë besoj se Pacolli do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve”, theksoi ai.
Ai shpjegoi në “Ilva Now” se nuk ka deklaruar kurrë se Pacolli ka hyrë në Kosovë me veturën e Thaçit. Ministri Sveçla tregoi gjithashtu se Presidenti Thaçi ka kaluar për 100 minuta kufirin e Kosovës, dhe ky kalim drejt Shqipërisë korrespondonte me kohën e aterrimit të Pacollit, ndaj sipas tij kjo çështje ka marrë vëmendje të madhe.
“Unë në asnjë moment nuk kam deklaruar se Pacolli ka qenë në veturën e zotit Thaçi. Unë jam përgjigjur shumë pyetjeve të gazetarëve, të cilat kanë pasur pretendime, në bazë të informatave të tyre, por edhe në bazë të informatave të Policisë së Kosovës për sjellje të çuditshme dhe të papërshtatshme të Presidentit të Republikës. Në kohë pandemie zoti Thaçi lëshon territorin e Kosovës në drejtim të Shqipërisë, saktësisht për 100 minuta dhe pas kësaj kthehet në Kosovë duke thyer protokollet. Unë ju përgjigja pyetjeve të mediave, por po ashtu u përgjigja edhe dokumentacioneve që na vinin për daljen dhe hyrjen e tij në Kosovë, në kohën kur kjo korrespondonte me aterrimin e Pacollit. Unë nuk kam thëne se ka qenë në veturën e zotit Thaçit, por kam thënë se çfarëdo kalimi ilegal do mund të përmbante shkelje penale”, tha ai.