Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë ka ndodhur një sulm në drejtim të policisë në Zubin Potok, saktësisht në pikën kufitare në Jasenovik.
Nga Policia është bërë e ditur se mbrëmë kanë dëgjuar të shtëna armësh (dy herë radhazi), përderisa ishin në realizim të detyrave të tyre në vendin e quajtur Jabuke.
“Njësia relevante policore ka gjetur një predhë plumbi e cila kishte goditur rrethojën e objektit të stacionit policor për mbikëqyrje kufitare në Jasenovik. Lidhur me rastin Drejtoria kundër Terrorizmit po kryen hetime mbi dyshimet për kryerjen e veprave terroriste”,thuhet në njoftimin për media.
Gjithashtu u theksua se Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saj në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe kontrabandës si dhe shërbimin ndaj vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallim.
Ndryshe kjo pikë kufitare ka përfunduar së realizuar së fundi, ndërsa për ta vizituar atë ishin edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.