Më 2 shtator, persona të panjohur kanë hedhur gurë në lokalet e Bashkësisë Islame në Plevle të Malit të Zi, dhe përmes xhamit të thyer kanë futur një mesazh, në të cilin shkruante ” fluturoi zogu i zi nga Plevle, do të ndodhë Srebrenica”.
Imami Samir Kadribashiq, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo ngjarje është një pasqyrim i fashizmit, “dhe pasojë e tensioneve të fundit”.
Radio Evropa e Lirë është përpjekur të kontaktojë me shefin e policisë në Plevle, Dragan Sllavul, por ai nuk iu është përgjigjur thirrjeve.
Ende nuk ka të dhëna zyrtare për incidentin.
Imami Kadribashiq pretendon se shefi i policisë, pasi ka vizituar vendin, i ka thënë atij se rrjetet sociale ishin fajtore për sulmin.
“Kjo ishte përgjigjja e tij. Unë nuk e di se çfarë donte të thoshte, por sigurisht që rrjetet sociale nuk kanë faj për situatën që ka ndodhur netët e kaluara, kur ai nuk u lejua të reagonte ndaj të gjitha atyre shpërthimeve dhe provokimeve fashiste”, tha Kadribashiq.
Pas zgjedhjeve të 30 gushtit, gjatë festimeve të mbështetësve të opozitës në Mal të Zi, u shënuan disa incidente.
Në Plevle, dy burra myslimanë u sulmuan dhe disa ndërtesa, pronarë të të cilave janë gjithashtu myslimanët, u dëmtuan.
Kisha Ortodokse Serbe dënoi ngjarjet në Plevle ndërsa dhe drejtoria e Policisë njoftoi se do të bënte gjithçka për t’i sjellë autorët e krimit para drejtësisë.
Incidenti në Plevle u dënua gjithashtu nga shumica e partive politike, duke përfshirë tre koalicionet që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në 30 gusht. Tri koalicionet e opozitës fituan më shumë se gjysmën e vendeve në përbërjen e ardhshme të parlamentit të Malit të Zi.
Nga 81 vende, Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar nga Millo Gjukanoviq fitoi 40 vende me partitë e pakicave dhe partnerët tradicionalë, ndërsa tre parti të opozitës fituan 41 vende.