Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot në seancën konstituive pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor.
Por, mbajtja e seancës dhe konstituimi i Kuvendit është vënë në pikëpyetje pasi që dy partitë që synojnë formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk kanë arritur ta finalizojnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, është deklaruar se nuk e preferon konstituimin e Kuvendit pa arritjen e marrëveshjes për Qeverinë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar të mërkurën se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion qeverisës.
Ai nuk i ka shpallur të përfunduara negociatat për Qeverinë e re, por ka thënë se në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje dhe LDK-ja shkojnë pa marrëveshje.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi, ka cituar nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufca, i cili ka deklaruar se “nuk është në interes të Kosovës të bëjmë konstituim të organeve të Kuvendit pa marrëveshje gjithëpërfshirëse edhe për Qeverinë”.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se negociatat nuk kanë dështuar, por sipas tij “ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”.
Ligjërisht, Kuvendi mund të konstituohet edhe pa marrëveshjen për qeverinë, duke zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e re. Por, nga aspekti politik, implikimet besohet se janë të shumta. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka konfirmuar se pavarësisht faktit që Vetëvendosjes si fituese e zgjedhjeve i takon posti i kryetarit të Kuvendit, kjo pozitë mund t’i lihet LDK-së si pjesë e marrëveshjes dhe kompromiseve për koalicion qeverisës.
Mosmarrëveshjet rreth koalicionit qeverisës midis LVV-së dhe LDK-së ndërlidhen me postin e presidentit, i cili do të duhet të zgjidhet në pranverën e vitit 2021.
Vetëvendosje është deklaruar se nuk e preferon arritjen e marrëveshjes edhe për presidentin e ardhshëm, përderisa LDK insiston që ta ketë mbështetjen dhe zotimin me shkrim të Vetëvendosjes për kandidatin e saj për president në vitin, 2021, kur edhe do të votohet zgjedhja e tij në Kuvend.
Aktualisht, sipas partive në negociata, janë dy skenarë për seancën konstituive. Skenari i parë është ai i konstituimit të këtij institucioni, por që do ta komplikonte edhe më shumë arritjen e marrëveshjes për qeverinë, kurse i dyti, ai i shpalljes së pauzës deri në arritjen e marrëveshjes LVV-LDK. Skenari i dytë ishte aplikuar më 2014, kur konstituimi i Kuvendit kishte zgjatur me muaj.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton që Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar në momentin kur nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Bazuar në Kushtetutë, kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Kuvendi ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.
Pas konstituimit të Kuvendit, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës.
Neni 95 i Kushtetutës e parasheh formën e zgjedhjes së Qeverisë. Aty thuhet se pas zgjedhjeve, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë.
Në bazë të Kushtetutës, kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e legjislativit.
Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Nëse përbërja e propozuar e qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre. Anëtarët e qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.
Discussion about this post