
Prishtina, Mitrovica, Gjilani dhe komunat tjera të Kosovës po solidarizohen me të madhe edhe në këto orë të mbrëmjes me qytetarët e Shqipërisë, të cilët pësuan sot nga tërmeti shkatërrues i cili la të paktën 21 persona të vdekur, mbi 600 të lënduar e mijëra të zhvendosur.
Në kryeqytetin e Kosovës gjatë gjithë ditës dhe në mbrëmje, organizata të ndryshme joqeveritare dhe qytetarë kanë ndërmarr iniciativë duke organizuar aksione në shesh për mbledhjen e batanijeve, veshmbathjeve dhe gjësendeve të ndryshme për tu dalë në ndihmë vëllezërve shqiptarë.
Aksioni po vazhdon edhe në orët e mbrëmjes ku shumë qytetarë me valixhe, karroca e vetura po sjellin vazhdimisht me aq sa kanë mundësi ndihma të dedikuara për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Disa pjesë të sheshit të Prishtinës janë mbushur me valixhe dhe thasë me gjësende të ndryshme. Përveç, kryeqytetit të Kosovës, ngjarjet e orëve të fundit në Shqipëri kanë prekur me të madhe edhe komunat e tjera si Mitrovica, Gjilani e mjedise të tjera të Kosovës.
Në gazetën Sinjali kanë arritur fotografi nga këto komuna ku shihet një mobilizim i madh për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat nga Shqipëria si dhe për të bashkndjerë me dhimbjen e bashkëkombëseve shqiptarë./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post