Presidenti Ilir Meta me anë të një reagimi zyrtar e cilëson si një akt kriminal dhe që cenon paqen sociale rrjedhjen e të dhënave personale me pagat e mbi 630 mijë shtetasve shqiptarë.
Meta ka shkruar në Facebook, se të dhënat e publikuara janë shkelje flagrante e lirive të drejtave të njeriut , ligjeve e Kushtetutës.
“Të dhënat personale të çdo shtetasi, që depozitohen në institucionet publike dhe që administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit. Çdo lloj përdorimi i ndryshëm i tyre është akt kriminal, që rrezikon paqen sociale duke cënuar sigurinë private të çdo qytetari”, shprehet presidenti.
Ai kërkon gjithashtu nisjen e një hetimi të plotë nga agjencitë ligjzbatuese për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale.
“I bëj thirrje agjencive ligjzbatuese dhe të ndjekjes penale, të vihen menjëherë në lëvizje, të nisin verifikimet dhe hetimet, të faktojnë këtë veprimtari të përsëritur të paligjshmërisë, duke marrë pa vonesë masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve”, shprehet kreu i shtetit”, ka shkruar Meta.