E veçanta e vitit të ri që po vjen është se ai shënohet vetëm me dy shifra, të cilat dublohen. Kjo ndodh një herë në shekull, madje vetëm një herë deri në fundin e mijëvjeçarit të tretë.
Shkruan: Abdi Baleta
Këtë vit do të jetojmë mes zhgënjimesh të mëdha në sistemet e ideve dhe realitetet politike. Ky është përfundimi që del nga studimi i librit të politologut të mirënjohur amerikan John J. Mearsheimer “The Great Delusion. Liberal Dreams and International Realities” (2018) (“Zhgënjimi madh. Ëndrrat liberale dhe reailitetet ndërkombëtare”). Përfundimi kryesor i analizës së tij shkencore është se “nuk ndodhi ashtu sikurse besohej gjerësisht në Perëndim se Amerika do të arrinte të përhapte liberal-demokracinë kudo dhe do ta rindërtonte botën sipas imazhit të saj”. Në kapitullin e pestë (prej 36 faqesh) ai përqendrohet tek teza “Liberalizmi si burim trazirash”, me të cilën ai shpjegon se liberal-demokracia është dhe burim zhgënjimesh, pasi u shembën për botën e çliruar nga nacionalizmat. Në libër shkruhet “Ndikimi i nacionalizmit shpesh ia pret rrugën një politike të jashtme liberale. nacionalizmi e vë fort theksin mbi vetëvendosjen, që do të thotë se shumica e vendeve do t’u bëjnë rezistencë përpjekjeve liberale të fuqive të mëdha për të ndërhyrë në politikën e tyre të brendshme, gjë që është sigurisht gjithçka që përfaqëson hegjemonizmi liberal…” (f. 3). Një hyrje e tillë synon të nxjerrë në pah se problemet shqiptare duken e bëhen edhe më të ndërlikuara kur i vendos në një spektër dhe realitet të tillë teorik e praktik europian e ndërkombëtar.
“TOPUZI” (francez), “DAULLJA” (europiane), “VALLJA” (shqiptare)
Ç’na sjell ndërmend një ushtrim politik terminologjik me fjalët “Topuzi” (francez), “daullja” (europiane) dhe “vallja” (shqiptare)? Një dasmë që mbaron pa nisur, pa nuse e pa dhëndër. Thëniet popullore dhe shprehjet idiomatike që lidhen me fjalët “topuz”, “daulle” dhe “valle” në të folmen dhe fjalorin e gjuhës shqipe shpjegojnë, më mirë se çdo hartim letraresk ose vëzhgim politik e diplomatik amatoresk, zhgënjimin e madh që do të përjetojnë tani e tutje shqiptarët pas tri dekadash pritjeje durim-madhe, që ta shohin Shqipërinë në tryezën e bisedimeve zyrtare për anëtarësimin në BE. Rënien e “daulles” europiane për hapjen e bisedimeve po e prisnim siç prisnim dikur me sofër shtruar agjëruesit në Ramazan rënien e lodrës për çeljen e iftarit. Por, në vend të sihariqit, na erdhi haberi se “daullja europiane” për shqiptarët nuk do të binte, pasi e kishte çarë lëkurën e saj goditja e “Topuzit” të rëndë francez dhe, sipas të gjitha gjasave, Franca nuk ka interes e as ndërmend ta lëshojë lehtë nga dora. Shqipërisë e shqiptarëve, tani e tutje, u duhet të mendojnë të rendisin më mirë përparësitë e tyre politike dhe diplomatike, duke vendosur në krye të listës “integrimin e bashkimin e kombëtar”, për të siguruar një pjesëmarrje dinjitoze në mekanizma e veprimtari shumëkombëshe dhe të diversifikojnë marrëdhëniet politiko-ekonomike edhe me rajone të tjera të botës.
Vetëmashtrimet i bëjnë dhe më të hidhura zhgënjimet. Gjatë tri dekadave me radhë Shqipëria në fushën e politikës së brendshme e sidomos në diplomaci nuk ka bërë gjë tjetër, veçse “ka hedhur këmbët sipas daulles (europiane)”. Ndërkaq tani i thonë se “Lodra bie për tjetër valle” (që sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe do të thotë se kanë ndryshuar punët). Rasti i Shqipërisë duket si i përzgjedhur enkas për të ilustruar atë bukurinë folklorike të shprehjes së shqiptarëve “Kur në dasmë ngrihet të kërcejë në valle fukarai, çahet daullja”. Dhe, daullja e integrimit europian për shqiptarët u ça pikërisht në kohën kur këta kishin marrë garancitë më të forta se kurrë se do të niste vallja e tyre për bisedimet e integrimit. Por, Franca e vërviti idhnueshëm dhe fort “topuzin” e saj dhe e çau edhe lëkurën e lodrës, edhe pse përshtypja ishte krijuar se kjo nuk do të ndodhte, pasi Gjermania e kishte mbërthyer lodrën me shumë kujdes. Kësaj here i vetmi ngushëllim për shqiptarët e përbuzur mbeti vala e pakënaqësisë së mosmiratimit dhe e qortimit të qëndrimit francez, që përshkoi Europën dhe Amerikën. Franca vërtet u vu në pozitë disi të vështirë se ndoshta nuk e kishte menduar që reagimet do të ishin kaq të pazakonta e të pakëndshme ndaj prestigjit të saj. Prandaj, Franca nisi menjëherë fushatën e sofizmave politike e diplomatike që “t’ua bëjë kokën daulle” gjermanëve, amerikanëve, funksionarëve të Brukselit dhe, sidomos, pushtetarëve e politikanëve të Tiranës e të Shkupit, si dhe opinionit publik shqiptar e maqedono-verior.
Franca nuk e ka fshehur se kundërshtimin në fakt e kishte vetëm për Shqipërinë. Ajo shprehu keqardhje që Maqedonia e Veriut ra viktimë e trajtimit të Shqipërisë, siç digjet bari i njomë me të thatin. Këtë kuptim kishin shpjegimet e presidenti francez se qëndrimi refuzues edhe ndaj Maqedonisë së Veriut u mbajt “për të mos poshtëruar Shqipërinë dhe shqiptarët, që janë të pranishëm në numër të madh në disa vende ballkanike”. Me këtë arsyetim presidenti francez, në fakt, zbuloi se është i vetëdijshëm që çështja shqiptare është më e mprehta tani në Ballkan dhe zgjidhja e kësaj çështjeje jep kyçin për të qetësuar e stabilizuar Ballkanin. Diplomacia franceze nuk ka qenë asnjëherë e angazhuar për një zgjidhje të tillë dhe vetëm interesohet për “rregullime gjysmake në kurriz të shqiptarëve”. Janë katër arsye thelbësore për të cilat Franca e ndjek këtë logjikë politiko-diplomatike.
- Diplomacisë franceze nuk i pëlqen që shqiptarët si komb tregojnë simpati të veçantë për SHBA-të dhe vlerat amerikane.
- Marrëdhëniet me shqiptarët diplomacia franceze i ka parë gjithmonë me syrin që ato t’u shërbejnë më shumë interesave të Serbisë e Greqisë në Ballkan.
- Interesimi francez në marrëdhëniet me shqiptarët kufizohet kryesisht në fushën e frankofonisë e përhapjes së ndikimit kulturor, por jo në fushën marrëdhënieve politike, ekonomike e ushtarake.
- Përkatësia e shumicës dërrmuese të shqiptarëve në besimin mysliman e nervozon politikën franceze, e cila gjithnjë e ka perceptuar Europën e Bashkuar si një “klub shtetesh të krishterë”.
Prandaj, Franca ka vite që përpiqet ta përçojë idenë se Shqipëria duhet të kënaqet me një status partneriteti të veçantë me BE-në dhe të mos këmbëngulë që të jetë anëtare me të njëjtin status si gjithë të tjerët. Prandaj, francezët i fryjnë tani fort tezës së pakuptimtë se Franca po rrezikohet seriozisht nga një invazion emigrantësh e refugjatësh shqiptarë, nga krimi i organizuar e prostitucioni, që e përhapkan shqiptarët në Francë. Në shtypin e Tiranës janë përmendur shifra mjaft domethënëse nga burime zyrtare franceze se këto pretendime janë të ekzagjeruara. Është e vërtetë se gjithmonë “daullet bien për ata që kanë veshë”, por si i bëhet kur nuk ke më as veshë për të dëgjuar daullet që bien.
Franca fort po i “bie daulles së vet” jo thjesht për rastin e izoluar shqiptar, por, në fakt, këtë rast ajo po e shfrytëzon më shumë si shkas që ta parashtrojë më gjerësisht strategjinë e saj nacionaliste në kuadër të krisjeve euro-atlantike, si dhe për të modifikuar strukturat e funksionimin e Bashkimit Europian pas largimit të Britanisë së Madhe dhe pas rënies së pritshme të peshës specifike të Gjermanisë në vendimmarrjet europiane nga largimi i afërt nga skena diplomatike i kancelares autoritare gjermane, Anxhela Merkel. Si paralajmërim i zhvillimeve të tilla në horizontin e diplomacisë shërben sërish “Plani i Makronit”, që zëvendëson 35 kapitujt e marrëveshjes standarde të bisedimeve të pranimit të anëtarëve të rinj me 7 faza ende të pakuptueshme që, mesa duket, do ta bëjnë gati të pamundur hyrjen për të tjerë në BE-në e tanishme, ku do të krijohen dhe kasta të ndara shtetesh, sipas nivelit të zhvillimit dhe nëngrupime rajonale më të ngushta vendesh të diskriminuara.
Nuk është e rastit që menjëherë pas qëndrimeve të reja të Francës u ndërmor nisma për një “minishengen ballkanik” nga Presidenti i Serbisë, Vuçiq, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryeministri verioro-maqedonas, Zajev. Është një nismë pa vend, e pa mend, e nxitur dhe e nxituar kot së koti që, edhe po të konkretizohet, nuk sjell asnjë dobi, madje nuk përfaqëson kurrfarë risie apo befasie diplomatike. Janë diskutuar e kanë dështuar shumë nisma të tilla edhe më herët. “Projekti Ballkaniada” i Adem Demaçit, “Projekti Selanikut” për Ballkanin Perëndimor (si Jugosllavi e Tretë)i shpallur me bujë në Samitin BE-Ballkan në Selanik në vitin 2003, “Nisma Luksiç”, nismë malazeze e shpallur në Ohër para pak vitesh, që u mbështet me mendjelehtësi edhe nga diplomacia e Shqipërisë, demokratike e socialiste, “Nisma e Berlinit” e ndërmarrë nga Merkel dhe e bashkëkryesuar nga Gjermania e Franca, që ripërtërinte idenë e Ballkanit Perëndimor si Jugosllavi të Tretë, por kësaj radhe pa Kroacinë, që ishte anëtarësuar tashmë në BE. Pra, ka plot projekte për gjithfarë konglomeratesh shtetërore sllave, ku të përfshihen dhe shqiptarët, por në dëm të Kosovës e të vetë Shqipërisë. Në rastin e “minishengenit Ballkanik” diplomacia e Tiranës ka bërë një hap edhe më të panevojshëm e më të dëmshëm, që synon të vëjë paraprakisht në pozitë të vështirë Republikën e Kosovës, duke i krijuar telashe qeverisë së re, që pritet të krijohet në Kosovë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që ka humbur dukshëm qetësinë në situatën e rënduar politike brenda vendit, po humbet rrezikshëm e keqas edhe orientimin në fushën e diplomacisë ndërballkanike, duke u rikthyer tek tezat diplomatike të Fatos Nanos për “Ballkanin e ballkanasve”, “Ballkanin pa mure” dhe tek politika e Nanos pas Kretës më 1997, kur takoi kokë më kokë Millosheviqin. Rama bën një hap edhe më të gabuar se Nano, i cili fliste për “shengen ballkanik”, kur të gjitha shtetet e Ballkanit, me përjashtim të Greqisë, nuk ishin anëtarësuar në BE. Kurse, “minishengeni” i sotëm nënkupton një hap që e kthen Shqipërinë në një aneks të dyshes serbo-maqedone, në dëm të Kosovës që ose e izolon, ose e e detyron të marrë angazhime të reja para Serbisë, veçanërisht për të hequr tarifën 100% për mallrat serbe. Rama e bëri edhe gabimin e palejueshëm se e akuzoi Kosovën për vetizolim, duke mos vajtur nëtakimin e Ohrit. Në Ballkan, Kosovën mundta izolojë vetëm Shqipëria nëse e hedh valle si duan Serbia e Maqedonia Veriore, ndryshe Kosova nuk izolohet dot më. Këto zhvillime shtrojnë problemin e ngutshëm dhe therës që gjithë sektorët politikë, intelektualë e shoqërorë të shoqërisë shqiptare, gjithë mekanizmat partiakë e pushtetorë të angazhohen seriozisht që shqiptarët të unifikojnë diplomacinë e tyre, të mos lejojnë më që Kosova të trajtohet si “shtet fusnotë” nga Serbia dhe të tregohen syçelë që Shqipëria të mos trajtohet si “shtet bisht” në Ballkan apo në Europë.
Për këtë duhet politikë e diplomaci në radhë të parë mbi baza kombëtare dhe me kritere të qarta nacionaliste, siç po ndodh kudo në botë, siç po ndodh edhe në SHBA ose në Francë. Pikëpamjet e mia për rritjen peshës së nacionalizmit tek udhëheqësit e rangut më të lartë botëror i shpreha në shkrimin “Mirënjohje Presidentit Trump për këshillat e mira” botuar në revistën “Shenja” në tetor 2019. Tani vërejmë se dhe presidenti francez priret të radhitet fuqishëm në rreshtin e udhëheqësve autoritarë të shteteve të rëndësishëm për të marrë në dorë punët e botës. Sigurisht se nuk është më koha të mendohet që Europa të ketë përsëri një Napoleon francez, por nuk mund të neglizhohet dëshira për t’i dhënë përsëri Europës një De Gol francez. Më ka bërë përshtypje të fortë trajtimi i figurës së udhëheqësit nacionalist në një artikull të shkurtër të shkrimtarit e intelektualit të njohur francez, Mishel Huelëbek, nëntitullin “Donald Trumpi është president i mirë” (botuar në “L’Express”, në Francë, ribotuar në “Shekulli”, Tiranë, më19 nëntor 2019). Edhe pse dihen marrëdhëniet e acaruara të presidentit francez me atë amerikan, që në momente të caktuara e akuzonin njëri-tjetrin për nacionalizëm, shkrimtari francez tani po zbulon se Makron e Trump mund të jenë shumë të ngjashëm pikërisht duke përqafuar qasje nacionaliste në politikë e diplomaci. Më kanë entuziazmuar fjalët e Huelëbek “Presidenti Trump së voni deklaroi ‘A e dini çfarë jam unë? Unë jam nacionalist’. Edhe unë, gjithashtu, saktësisht i tillë jam. Nacionalistët mund të bisedojnë me njëri-tjetrin. Internacionalistëve, për çudi, bisedimet nuk u shkojnë shumë mirë… Në përfundim, Presidenti Trump mua më duket si njëri nga presidentët më të mirë amerikanë, që kam parë ndonjëherë”.
Për kërshëri, jo si argument, po shënoj këtu se përherë të parë në literaturën politologjike shqiptare vlerat e nacionalizmit i ka nxjerrë në pah me një formulë saktësisht si ajo e Trumpit një dijetar islam, Hafiz Ali Korça në poezinë e tij “Nacionalizma dhe Islamizma” (“Zani i Naltë”, nr. 4, 1923), sidomos në vargjet: “Nasionalist jam, por fetar si duhet/Le të thonë bota si t’u thuhet”. Kjo formulë është përsëritur disa herë në shkrimet nacionaliste të tri dekadave të fundit në Shqipëri. Presidenti amerikan dhe shkrimtari francez na japin, pra, kënaqësinë që vlerat e nacionalizmit vihen në dukje dhe në nivele të tilla. Por, në shkrimin e Huelëbek bie në sy dhe arsyetimi me teh të mprehtë politik e praktik për ditët e sotme: “Franca duhet të largohet nga NATO-ja, por një hap i tillë, ndoshta, do të jetë i pakuptimtë nëse mungesa e fondeve operacionale bën që NATO-ja të zhduket vetiu. Kjo do të ishte një brengë më pak dhe një arsye më tepër për t’ia kënduar këngën e lavdisë Presidentit Trump”. Pra, refuzimi i Francës për të hapur bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është rrjedhojë zhvillimesh politike e diplomatike në një sfond më të gjerë, me synime më të largëta e me përmbysje më të thella në gjeopolitikën globale ndërkombëtare, jo vetëm europiane.
Fat më i keq apo më i mirë për Shqipërinë e shqiptarët?! Të presim e të shohim. Dëshpërimi i ekzagjeruar nuk na ndihmon. Zemërimi inatçor nuk dihet ku na çon. Por, duhet të fillojmë të mendojmë seriozisht se “Plani Makron” dhe hapja e mundshme e diskutimeve rreth sendërtimit të tij, para se të vazhdohet me zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, i kthen në fjalë të kota ato që dëgjohen ende se Europa po tregon kujdes e përkushtim serioz për ta riparuar edhe një herë “daullen e çarë të integrimit” e të zgjerimit të BE-së, në këtë formë siç është, dhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut mund të futen në “vallen e bisedimeve” pas disa muajsh, qysh në takimin e BE-së, të planifikuar për t’u mbajtur në Zagreb në muajin maj të vitit 2020. Kështu po shpreson e premton Europa se do ta fshijë turpin që i lëshoi qëndrimi i Francës. Kjo shpresë venitet qysh me shpalljen e planit francez për riformatim të Europës së Bashkuar. “Plani Makron” prej shtatë etapash për çdo shtet që kërkon pranim, parashikon kushte të tilla që zor se mund t’i përmbushnin edhe shumë nga shtetet më të përparuar, anëtarë të hershëm të BE-së.
“Plani Makron” për pranimet e reja në BE bëhet veçanërisht i rrezikshëm për Shqipërinë e Kosovën në qoftë se nuk shoqërohet edhe me pezullimin e bisedimeve me Serbinë e Malin e Zi. Diplomacia shqiptare në Shqipëri e Kosovë këtë shqetësim duhet ta parashtrojë pa vonesë në Bruksel e disa kryeqytete europiane, si dhe në Uashington. Nëse nuk ndodh kjo, bëhet dhe më e qartë se “Plani Makron” është qëllimisht diskriminues për Shqipërinë e Kosovën. Këto ditë lexuam se Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim në një raport të saj paska parashikuar se me këtë nivel qeverisjeje që ka tani, Shqipërisë do t’i duhen 80 vite për të arritur mesataren e të ardhurave të vendeve të zhvilluara. Kam mendimin se ky parashikim përsëri tingëllon si optimist edhe nëse BE-ja mbetet me fizionominë që ka tani. Po të marrë atë fizionomi që përcakton “Plani Makron”, do të bëhet më mbytëse trysnia në të gjitha fushat.
Politikanëve që janë në pushtet e opozitë në Shqipëri mbase nuk u shkon sipas midesë që të shkruhet kështu, që të thuhen gjërat siç kanë qenë e siç janë. Por, kjo duhet bërë! Duhen kuptuar e vlerësuar me respekt ndjesitë e dëshpërimit popullor shqiptar për qëndrimin e pahijshëm e të padrejtë të politikës franceze, që i shprehën qartë tifozët e futbollit, duke fishkëllyer himnin francez kur po niste ndeshja “Francë-Shqipëri”, me të cilën, si për ironi, u përurua stadiumi i ri modern në Tiranë, më 17 nëntor 2019. Fatkeqësisht dhe përsëri si për ironi mbështetjen më ngushëlluese për politikën e ndalimit të zgjerimit të BE-së, Franca e mori pikërisht nga viktimat e vendimit të saj, në Shqipëri. Opozita politiko-partiake shqiptare në Shqipëri filloi t’i bjerë plot gëzim e lumturi daulles së vet të shpuar në luftën për pushtet dhe shpalosi vlerësime të larta e mbështetje të palëkundur për qëndrimet e Francës e të Presidentit Makron, meqenëse këta nuk e kishin lënë BE-në të niste bisedimet me Shqipërinë dhe kështu i kishin dhënë një goditje të rëndë qeverisjes së Edi Ramës. Pra, për opozitën shqiptare interesat e integrimit të Shqipërisë në BE i paska mbrojtur më mirë Franca se qeveria shqiptare dhe ato vende europiane që ishin për hapjen e bisedimeve. Deri në këtë shkallë mbërriti mjerimi i politikës shqiptare, që një qëndrim francez të qortuar rëndë në Europë e paraqet si bamirësi e bujari të Francës ndaj Shqipërisë. Në këtë batak mjerimi politike diplomatik u zhytën edhe një numër jo i vogël intelektualësh, vëzhguesish e komentuesish politikë. Sali Berisha, nga zelli për t’u hequr më “makronist” se vetë Emanuel Makroni, e korrigjoi deri justifikimin e Makronit dhe ndreqi edhe një “gabim” të presidentit francez, që kishte thënë se gjysma e shteteve të BE-së kishin qenë kundër hapjes së bisedimeve me Shqipërinë. Sipas Berishës, kundër kishin qenë shumica dërrmuese dhe vetëm 7 vende kishin votuar në favor të Shqipërisë. Makroni nuk kishte përse t’i paraqiste si frikacakë e hipokritë gjysmën e anëtarëve të BE-së, as Berisha nuk duhej që për inat të Edi Ramës ta bënte edhe më qesharake situatën në BE.
Me vendimin që mori BE-ja, nën trysninë e Francës e dy vendeve të tjera, kuptohet se qeverisë shqiptare i është dhënë një goditje e rëndë, por gjithsesi e pamerituar. Goditja i është dhënë në radhë të parë Shqipërisë, u është dhënë gjithë atyre që kanë qenë me radhë presidentë e kryeministra, duke filluar nga Sali Berisha e deri tek Ilir Meta, që kanë bërë zhurmë fetishizuese për integrimin europian gjatë 30 viteve. Të gjithë presidentët e kryministrat para Edi Ramës nuk kanë qeverisur më mirë e nuk kanë bërë më shumë për pranimin në BE. Nëse do të flasim me objektivitet e ndershmëri për faje e fajtorë për gjendjen e krijuar në fushën më delikate që ka evidentuar BE-ja, gjendjen e mjerueshme në sistemin gjyqësor, duhet të shënojmë me radhë në listë ish-presidentët, Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe, sidomos, këtë të tanishmin, Ilir Meta, që kanë kryesuar me radhë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që kanë neglizhuar të gjitha alarmet që janë dhënë vit pas viti. Në këtë drejtim Rama ka më pak përgjegjësi se ata. Nëse do të flasim përsëri me objektivitet e ndershmëri për faje e fajtorë për gjendjen e krijuar në fushën tjetër delikate që ka evidentuar BE-ja, gjendjen e krimit e të korrupsionit në vend, duhet të shënojmë me radhë në listë të gjithë ish-kryeministrat e Shqipërisë, që me qeverisjet e tyre i hapën dhe i zgjeruan rrugët e korrupsionit, si Aleksandër Meksi, Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko, Sali Berisha, e deri tek i sotmi, Edi Rama.
Edhe diplomacia e huaj që punon në ndihmë në Shqipërisë, në fakt, këtë po thotë me të folmen e saj teknokratike.
Discussion about this post