Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme edhe zyrtarisht pas takimit me kryetarët e Komunave të Kosovës.
Hoti i ka informuar kryetarët e Komunave të Kosovës se me këtë trend të rritjeve të rasteve me koronavirus, janë të detyruar ta shpallin Gjendjen e Jashtëzakonshme në Kosovë.
“I njoftova kryetarët se me këtë trend të të prekurve me covid-19, ne duhet të konsiderojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, ka shkruar Hoti ndër tjerash.
Hoti ka thënë se Gjendja e Jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar.
“Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”, ka shkruar Hoti.
Inspektorët komunal do të kenë detyra shtesë në monitorimin e bizneseve se a po mirëmbajnë rregullat për parandalimin e COVID-19, po ashtu puna nuk do të ndalet vetëm se masat do respektohen në përpikëri nga çdo qytetarë, shkruan Gazeta Metro.
Po ashtu qytetet që janë me rrezik të lartë dhe numri i rasteve ka shënuar rritje të konsiderueshme si Prishtina, Vushtrria, Ferizaji dhe Prizreni do vazhdojnë masën e kufizimit të lëvizjes nga ora 21:00 e mëngjesit deri në 05:00.
Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, ushtria e Kosovës dhe Policia e Kosovës do të kenë autoritet të plotë në zbatimin e ligjeve dhe rekomandimeve që do të jepen nga Qeveria si masë parandaluese ndaj COVID-19.
Çdo qytetarë do mund të ndalohet nga Policia për shikimin se a po respekton masat kundër COVID-19, ku parashihet vendosja e maskës si obligative për qytetarët.
Kujtojmë se edhe më herët Presidenti Thaçi pati rekomanduar shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, por kjo kategorikisht u kundërshtuar nga Qeveria Kurti, i cili pastaj u rrëzua nga pushteti për pak ditë.
Po ashtu vlen të kujtohet se ish-Qeveria Kurti kishte vendosur kufizimin e lëvizjes për qytetarët e Kosovës, ku ky vendim u cilësua si anti-Kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.