Sekretari amerikan i Shtetit shkon në Qipro të shtunën në përpjekje për të kërkuar një zgjidhje paqësore për tensionet në rritje në Mesdheun Lindor. Ai gjithashtu i kërkoi Turqisë që të tërheqë forcat ushtarake nga zona e kontestuara.
Pompeo shkon në Qipro pas kthimit nga Doha. Kjo vizitë e tij, zhvillohet pas bisedave telefonike mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij turk Rexhep Tajip Erdogan si dhe me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
“Konflikti duhet të zgjidhet në një mënyrë diplomatike dhe paqësore”-theksoi Pompeo për gazetarët në bordin e avionit të tij.
Kreu i diplomacisë amerikane përshëndeti ndërkaq përpjekjet e Gjermanisë për të ulur tensionet. Midis Greqisë dhe Turqisë është vendosur dhe Franca që ka dhënë mbështetje e saj të qartë për Greqinë dhe Qipron.
Turqia dhe Greqia, të dyja anëtare të NATO-s, pretendojnë sovranitetin për disa rajone detare ku janë zbuluar depozita të mëdha hidrokarburesh, një zonë që Athina e konsideron se është nën sovranitetin e saj. Vizita e Pompeos ndodh ndërkohë që SHBA-ja ka hequr së fundi një embargo mbi shitjen e armëve në Qipro, gjë që ka shtuar zemërimin e Turqisë.
Kundër Turqisë janë renditur edhe shtetet jugore të Bashkimit Europian, që thanë se do të hartojnë një listë sanksionesh, nëse Ankaraja nuk ulet në bisedime me Greqinë dhe Qipron.
Paralajmërimi u bë të enjten vonë, pas një samiti joformal të të ashtuquajturit grupi MED7, i kryesuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Pozicioni i MED7 nuk pasqyron domosdoshmërish qëndrimin e BE-së si tërësi.