
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, publikoi një komunikatë me shkrim rreth ushtarëve turq të rënë dëshmorë në Idlib si pasojë e zjarrit të hapur nga forcat e regjimit sirian dhe zhvillimeve në rajon.
“SHBA-ja dënon sulmet e vazhdueshme, të pavenda dhe të pamëshirshme të regjimit të Assadit, Rusisë, Iranit dhe Hizbullahut kundër banorëve të Idlibit”, tha ajo.
Pasi tërheq vëmendjen se në sulmet e lartpërmendura kanë humbur jetën edhe ushtarë turq, të cilët gjenden në Idlib për koordinim dhe uljen e tensionit, komunikata e zëdhënëses Ortagus vijon me këto fjalë: “Përballë akteve të këtilla, ne qëndrojmë pranë Turqisë, aleate e jona në NATO, si dhe i shprehim ngushëllimet tona qeverisë turke për ushtarët që humbën jetën. Ne mbështesim plotësisht «aktivitetet vetëmbrojtëse» legjitime të Turqisë dhe jemi duke shkëmbyer mendimet me qeverinë turke për këtë çështje.”
Duke theksuar se veprimtaritë “destabilizuese” të Rusisë, Iranit, Hizbullahut dhe regjimit të Assadit pengojnë vendosjen e armëpushimit në Siri dhe kthimin e sigurt të qindra-mijëra sirianëve të zhvendosur në veri të Sirisë, komunikata në fjalë bën thirrje për “një armëpushim urgjent” dhe për dhënien e qasjes së plotë organizatave humanitare për të ndihmuar personat në nevojë.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare pati njoftuar të hënën pasdite se është rritur në 8 numri i dëshmorëve si pasojë e sulmit me artileri të rëndë të regjimit sirian kundër njësive të Forcave të Armatosura të Turqisë, të cilat ishin dërguar në Idlib si përforcim për parandalimin e luftimeve.