Data e 15 qershorit do të shndërrohej në një përvjetor të kobshëm për familjen Pista nga Rahoveci. Në po këtë datë të vitit 2014, atyre do t’u vritej djali i vetëm i familjes, Elvisi. Kanë kaluar më shumë se pesë vite nga kjo ngjarje, e cila përveç që nuk u zbardh, u mjegullua edhe më shumë, duke i lënë në liri autorët e vrasjes që kishte tronditur Rahovecin, mirëpo edhe mbarë opinionin në Kosovë.
Ishte nata mes 14 dhe 15 qershorit të 2014-tës kur kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Elvis Pista ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri. Në natën kritike, Pista do të dilte bashkë me miqtë e tij (gruan, shokun e tij dhe bashkëshorten e shokut), nga një aheng të mbajtur në vendin e quajtur “Jaha Petrol”, nga ku më pas ishte qëlluar me armë zjarri nga diku rreth 7 metra largësi, shkruan lajmi.net.
Në ditën kritike, personave që ishin bashkë me të s’do t’u jepej përshtypja se Elvis Pista është qëlluar me armë zjarri, ndërkaq që sipas kallëzimit penal të Policisë ata fillimisht kishin menduar se krismat vijnë nga ndezja e fishekzjarrëve por, që ato nuk ishin fishekzjarre. Ato ishin katër të shtëna të një arme të kalibrit 7.65 milimetra që besohet të ketë pasur edhe shurdhues të zhurmës. Këto të shtëna do të ishin fatale për Elvis Pistën që ndërroi jetë në orët e para të datës 15 qershor të 2014-tës./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post