Përpara se shqiptarët të mblidhnin mendjen e të vendosnin ta shkruanin shqipen vetëm me një alfabet (36 shkronja- 7 zanore dhe 29 bashkëtingëllore), nga Veriu në Jug, shqipja është shkruar në shumë variante germash.
Shqipja është shkruar në më shumë se 10 alfabete, del në përfundim, studiuesi dhe historiani Robert Elsie, çka do të thotë se përpjekjet për gjuhën shqipe kanë qenë më të hershme se Rilindja Kombëtare.
“Alfabetet shqip: të huazuar dhe të krijuar”, titullohet vepra më e re e studiuesit, i cili këtë herë ndalet në shkrimin e shqipes përpara Kongresit të Manastirit në 1908, kur e gjithë shqipja u njehsua nën një alfabet të vetë. Pas një periudhe të gjatë hulumtimi, shoqëruar edhe me botime të herëpashershme të zbulimeve të reja në lëmë të shkrimit të shqipes, Elsie thotë se përgjatë 100 vjetësh, nga viti 1750-1850, në Shqipëri pati një larmi ortografike.
“Gjatë kësaj periudhe, shqipja është shkruar në të paktën 10 alfabete të ndryshme, një rekord i vërtetë për gjuhët evropiane”, thotë ai. Sipas Elsie-t, në veprën e tij më të fundit, të sapobotuar nga Centre for Albanian Studies, London 2017, prezantohen format e ndryshme, në të cilat është hasur kjo gjuhë e vjetër ballkanike, që nga dokumentet më të hershme deri në ato të fillimit të shek. XX. Kryesisht ata konsistojnë në adaptimin e alfabeteve latine, greke, arabe dhe cirilike. Por më interesantet duket se janë sistemet shkrimore të krijuara nga vetë shqiptarët. “Shumica e këtyre alfabeteve janë harruar dhe janë të panjohura edhe për vetë shqiptarët”, thotë ai.
Fatkeqësisht, gjuha shqipe e shkruar është dokumentuar shumë vonë. Pas formulës së pagëzimit, që daton në vitin 1462, vepra madhore që dokumenton në mënyrë të padiskutueshme shqipen e shkruar është “Meshari” i Gjon Buzukut, në vitin 1555. Ekzistojnë të gjitha gjasat që shqipja të jetë shkruar edhe më herët, e megjithatë dokumente që të mund ta vërtetojnë këtë hipotezë nuk kanë dalë ende në dritë. Por që pas “Mesharit” shqipja vijon të dokumentohet gjithnjë e më shumë. E paralelisht me të edhe letërsia shqipe.
ALFABETET
Studiuesi Robert Elsie është fokusuar përgjatë një 100-vjetëshi nga viti 1750- 1850, ku vihet re nga njëra anë liri shkrimore, por nga ana tjetër, edhe një kaos alfabetesh, që i bënin tekstet e shkruara me to të papërdorshme nga të gjithë. “Me siguri ekzistonte një dëshirë tek intelektualët shqiptarë që kombi shqiptar të ketë një alfabet të vetë, dhe nuk është e rastit që kjo dëshirë për një alfabet origjinal shqiptar ishte më e theksuar në Shqipërinë e Mesme.
Një prift katolik në veri e kishte të qartë se duhej të shkruante në alfabetin latin. Kuptohet gjithashtu që një pop orthodoks nuk imagjinonte dot një alfabet tjetër përveç alfabetit grek. Banorët e Shqipërisë së Mesme në kufirin kulturor midis botës latine dhe botës bizantine, domosdo, ishin më të dezorientuar. Hyrja e Islamit në Shqipëri u solli një zgjedhje vetëm shqiptarëve të fesë islame. Ishte atëherë nga krishterët e Shqipërisë së Mesme që duhej të bënin përpjekjen e parë për krijimin e një alfabeti origjinal, dhe pikërisht nga ana e tyre u krijuan alfabetet e para origjinale në periudhën 1750-1850”, shkruan Elsie në “Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve, 1761, dhe lufta për krijimin e një alfabeti shqiptar”.
ORIGJINALET
Krahas alfabeteve të huazuara, interes paraqesin alfabetet origjinale. Një ndër to e hasim në “Dorëshkrimin Elbasanas të Ungjijve”, që sipas Elsie-t, me shumë gjasë është vepra e Gregorit të Durrësit, një figure të madhe të kësaj periudhe, është një dorëshkrim i vogël dhe i vetëm që ruhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë.
Sipas studiuesit, ky dorëshkrim 10 x 7 cm, me një rëndësi historike, përmban 30 fletë në të cilat gjendet teksti më i herët shqip i shkruar me një alfabet origjinal. 59 faqet e përkthimeve biblike në “Dorëshkrimin Elbasanas” përmbajnë 6113 fjalë të shkruara në një alfabet prej 40 germash: tridhjetë e pesë germa të zakonshme dhe pesë germa të rralla. Megjithëse disa germa të kujtojnë alfabetin grek, shumica e germave të këtij alfabetit duket të jenë krijime të reja pa ndikim të gjuhëve dhe të alfabeteve të popujve fqinjë.
Por sipas Elsie-t, alfabeti i “Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve” nuk është i vetmi i krijuar në Shqipërinë e Mesme ose të Jugut në gjysmën e dytë të shek. XVIII. Elsie vë re se në kapakun e “Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve” gjendet një vizatim dhe afër dymbëdhjetë fjalë, të shkruara me një alfabet, i cili ndryshon krejtësisht nga alfabeti i dorëshkrimit. Më i njohur se këto dy alfabete është i ashtuquajturi alfabeti i Todhrit, i krijuar nga njëfarë Todhri Haxhifilipi (1730-1805) nga Elbasani.
Alfabeti i Todhrit u zbulua nga Johan Georg fon Hani (1811-1869), konsulli austriak në Janinë dhe babai i Albanologjisë. Një tjetër është ai i të ashtuquajturit Kodeksit të Beratit. Ky dorëshkrim prej 154 faqesh, i cili ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, është vepra e të paktën dy shkrimtarëve dhe u hartua midis viteve 1764 e 1798. Dorëshkrimi lidhet me një- farë Kostë Berati. Sipas Robert Elsie-t, në faqen 104 gjejmë dy radhë shqip të shkruara me një alfabet origjinal prej 37 germash të ndikuara, siç thuhet, nga glagolishtja.
Nga Gjirokastra në Jug, kemi disa të dhëna mbi një alfabet tjetër nga fundi i shek. XVIII ose nga fillimi i shek. XIX. Edhe alfabeti i Gjirokastrës, ose i Veso Beut, një sistem grafik prej 22 germash, u zbulua dhe u botua nga Hani. Një alfabet tjetër i shpikur në Jugun e Shqipërisë është ai i Jan Vellarait11 (1771-1823), greqisht Ioannis Vilaras (Iôannês Bêlaras). Gjuhën shqipe e shkroi me një alfabet origjinal prej 30 germash në bazë të latinishtes dhe të greqishtes.
Dorëshkrimi ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Një tjetër alfabet i përmendur është ai i Naum Veqilharxhit (1797-1846) nga Korça. Veqilharxhi shpiku një alfabet prej 33 germash, që e botoi në një abetare shqipe, në vitin 1844. Në vitin tjetër, 1845, shtypi botimin e dytë të librezit me 48 faqe me titullin: “Faré i ri abétor shqip per djélm nismetore”. Rilindja kombëtare do të rriste përpjekjet për hartimin e një alfabeti të njehsuar. Shoqëri të shumta patriotike hartuan alfabetet e tyre, botuan abetare e libra, nga sa shihet përpjekjet e shqiptarëve për gjuhën shqipe kanë qenë edhe më të hershme dhe se Rilindja nuk u ngrit mbi një tokë shterpë./ALMA MILE/
Discussion about this post