Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka folur sot për përfaqësimin e Kosovës në Bruksel nga kryeministri Avdullah Hoti në rifillimin e dialogut me Serbinë.
Selimi gjatë seancës së Kuvendit në të cilën është duke raportuar Hoti ka thënë se ai ka shkuar atje pa pasur agjendë, platformë dhe ekip.
“Para se të shkonte në Bruksel ne e pyetëm Hotin ku je nis pa agjendë, pa ekip dhe pa platformë? Ai shkoi të përfaqësojë Kosovën, pa agjendë, pa ekip dhe pa platformë”.
“Nëse thoni se Kushtetuta është platforma, atëherë pikërisht Kushtetuta thotë që të mos shkoni atje. A i bien që po e negocioni Kushtetutën, meqë po e merrni si platformë”, ka thënë Selimi.
Më tutje, Selimi i është drejtuar Hotit duke i thënë se i ka turpëruar pasi ka kthyer përgjigje në gjuhën serbe Vuçiqit, kur ai e ka pyetur se a flet serbisht.
“Z. Hoti do të doja të dija paraprakisht ose si përgjigje a duhet para se të shkosh në bisedime me Vuçiqin të mësosh serbishten? Ti edhe ashtu nuk je i serbishtes, për dallim të shefit tënd të partisë”.
“A po hoqe dorë nga reciprociteti dhe u dashtë të flasësh gjuhën e njërës palë? Z. Hoti është dashur t’i thoni shqip se nuk di serbisht. Është dashur t’i thuash se as nuk dua të mësojë këtë gjuhë”.
“S’ka nevojë të demonstrojnë gjuhën serbe para Vuçiqit që ne e dimë. ‘Razumem’ i the Vuçiqit, na turpërove kryeministër”, ka thënë Selimi.