Real Madridi s’ka arritur ta shfrytëzojë mundësinë e artë që ia dha Barcelona për ta marrë kreun e La Ligës këtë xhiro, pasi që djemtë e Zinedine Zidane u ndalën me barazim pa gola në ndeshjen kundër Real Betisit.
Barcelona do t’i jetë gëzuar rezultatit të Real Madridit sonte, pasi që katalonasit rrezikonin ta humbnin pozitën e parë në tabelën e La Ligës pas disfatës 3:1 që e pësuan sot nga Levante. Madrilenët u ndalën me barazim dhe mbetën në pozitën e dytë në këtë tabelë.
Përkundër që ishte vendas dhe e dominoi ndeshjen me posedim te topit dhe numër të rasteve të krijuara për të shënuar gol, skuadra e Zinedine Zidane s’e gjeti dot golin e fitores në 90 minutat e ndeshjes së xhiros së 12-të.
Në fakt, Eden Hazard shënoi për madrilenët në fillim të ndeshjes, mirëpo goli u anulua për shkak të një pozite jashtë loje. Pas kësaj, mysafirët arritën t’i rezistojnë presionit të vendasve dhe e morën një pikë nga Santiago Bernabeu.
Pas këtij barazimi, Real Madridi mbetet në pozitën e dytë në tabelën e La Ligës, me 22 pikë të fituara nga 11 ndeshjet e para – gjashtë fitore, katër barazime dhe një disfatë. Ata kanë baras pikë me Barcelonën, por katalonasit e mbajnë kreun për shkak të dallimit në gola.
Tani, skuadra e Real Madridit do të tentojë t’i kthehet ecurisë së fitoreve në mesjavë, kur do të përballet me Galatasarayn në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
Discussion about this post